Basha: Demokratët mos të dyshojnë që 25 prilli ‘ishte masakër zgjedhore’

Më të fundit


Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha, dy ditë para zgjedhjeve të brendshme të 13 qershorit, ka folur për frikën e “zhdukjes” së PD, në rast se nuk krijohet vetëdija e qytetarëve për rrëzimin e qeverisë Rama, që ai e quan ‘regjimi Rama-Doshi’.

“Për ne demokratët kjo do të thotë pikë së pari dhe mbi të gjitha që këtë shumicë shqiptarësh ta organizojmë dhe ta nisim betejën duke i prirë kësaj beteje për objektivin numër një që mund të ketë sot Shqipëria, rrëzimin e regjimit.


Pa diskutim vetëdija për këtë është ABC-ja e gjithçkaje që do të vijojë. Ndërsa mohimi i kësaj është një rrugë e paditur përfundimi i së cilës kam frikë se nuk do të na ndryshojë shumë nga simotrat që janë zhdukur politikisht, apo zvarriten, apo janë kthyer në fasada të regjimit”, u shpreh Basha në një takim me demokratët e Paskuqanit.

“Për mua” theksoi Basha, ka vetëm një rrugë, “rruga e betejës totale ndaj atij që i ka shpallur luftë totale Partisë Demokratike, demokratëve shqiptarëve, Shqipërisë dhe demokracisë”.

Basha i bëri ftesë demokratëve të mos e dyshojnë që 25 prilli “ishte masakër zgjedhore” dhe jo fitore e Edi Ramës.

“Në qoftë se pranojmë të dytën, atëherë de facto kemi shkelur mbi sakrificën e demokratëve dhe i kemi rënë me shkelm gjithckaje që kemi ndërtuar në katër vite dhe kjo nuk është më e keqja, më e keqja është që duke pranuar këtë kemi legjitimuar mënyrat, format e të keqes, korrupsioni, krimin harbutërinë, dhe i kemi hapur rrugën një nate të pafund për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Unë nuk mund ta pranoj këtë, unë nuk mund të pranoj të shkel mbi sakrificën e demokratëve. Unë nuk mund të pranoj ta trajtoj Edi Ramën si një kundërshtar normal politik në momentin që ai ka dhunuar dhe ka shkatërruar të vetmin mekanizëm që ka demokracia, vullnetin e shumicës”, theksoi Basha.




Skip to toolbar