Basha me përfaqësues të “European Democrat Students”: Sfida më e madhe frenimi i ikjes së të rinjve

Më të fundit



Kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi sot një takim online me studentë dhe përfaqësues të EDS (European Democrat Students), ku ishin të pranishëm Carlo Angrisano, president i EDS dhe Dr. Tobias Rüttershoff, drejtor i Fondacionit Konrad Adenauer për Shqipërinë.

Basha gjatë komunikimit me studentët tha se sfida më e madhe e qeverisë së tij pas 25 prillit është frenimi i ikjes së të rinjve nga vendi dhe kthimi i atyre që studiojnë jashtë.


“Faktet flasin vet, 75% e të rinjve duan të largohen nga vendi. 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Të dyja këto më dëshpërojnë jashtë mase. Të parën deri diku edhe mund ta mirëkuptoja nëse do të ishte për të studiuar jashtë, sepse kjo është një ëndërr legjitime dhe nesër një nga projektet kryesore të qeverisë që do të dalë nga vota e 25 prillit. Por e dyta, dëshira për të mos u kthyer por për të vazhduar jashtë Shqipërisë është një katastrofë kombëtare, të cilës ne mund, duhet dhe do t’i japim fund me programin tonë ekonomikë e në veçanti me programin tonë për rininë. E vërteta është fare e thjesht, që të fitojë rinia shqiptare, që të fitojë Shqipëria, duhet të largojmë Edi Ramën. Njeriun që ka marrë peng vendin dhe fatet e tij, njeriu që ka marrë peng fatet e rinisë shqiptare”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës përsëriti angazhimin e tij për të abroguar ligjin e Ramës për Arsimin e Lartë dhe në vend të tij, hartimin e një ligji nga pedagoët dhe ekspertët më të mirë konsultuar me vetë studentët.

“Ligji për arsimin e lartë ishte vetëm paralajmërimi i parë në betejën e padrejtë midis një qeverie dhe një kryeministri, i cili sheh tek rinia kërcënim ndaj pushtetit absolut, arrogant dhe të korruptuar. Dhe më të vërtetë, sepse është energjia më e madhe transformuese në shoqëri. Dhe për këtë arsye, në vend që të bënte atë që bën çdo kryeministër dhe çdo qeveri normale në një vend normal që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, në vend që t’ju jepte një dorë, t’ju ndihmonte, j’ua bëri jetën më të vështirë. Ligji i arsimit të lartë u konceptua si një ligj për t’iu nënshtruar, t’ju skllavëruar, për t’ju depersonalizuar ju, universitetet dhe pedagogët. Ndaj dhe akti i parë në programin tonë, i cili do të marrë jetë pas zgjedhjeve të 25 prillit, është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë dhe një ligj i ri i përmasave dhe parimeve europiane, i ndërtuar me ekspertizën më të mirë të ekspertëve tanë, të pedagogëve dhe ndihmën tuaj në dialog me ju dhe shoqatat e studentëve”, u shpreh kreu i PD.

Basha apeloi të rinjtë, studentët dhe gjithë shqiptarët që të bëhen bashkë që me 25 prill të bëjnë të mundur ndryshimin që pret dhe meriton Shqipëria.

“Gjërat mund të ndryshojnë, gjërat do të ndryshojnë, 25 prilli është ditë ndryshimi. Nuk do të vazhdohet më në këtë rrugë. Shqiptarët janë më të bashkuar dhe më të bindur se kurrë, pavarësisht bindjeve politike. Se vazhdimi në këtë rrugë do të na çojë drejt greminës përfundimtare, mjerimit dhe shpopullimit përfundimtarë të vendit. Ndaj 25 prilli do të jetë ditë ndryshimi, por për këtë duhet ndihma juaj, duhet të shkoni derë më derë tek shokët dhe shoqet tuaja, tek bashkëmoshatarët tuaj dhe jo vetëm edhe tek më të rriturit e t’ju bëni thirrje që gjithë mërzinë, zhgënjimin, mllefin, depresionin ta kthejnë në energji, ta kthejnë në votë dhe në 25 prill të votojnë për Partin Demokratike, të votojnë për ndryshimin. Bashkë për ndryshimin nuk është një slogan por është një program pune, nuk janë premtime boshe si ato që erdhi Rama në pushtet por janë angazhime konkrete të cilat do fillojnë ta bëjnë hap pas hapi normale jetën tuaj. Unë nuk jam këtu për të premtuar mrekulli. Unë nuk besoj te politikanët që premtojnë mrekulli dhe ju ftoj të mos i besoni ata që premtojnë mrekulli. Por unë ju premtoj normalitet.
Mos u lodhni, nuk dua ta keni fare lodhjen, fjalën lodhje nё fjalor këto kohë. Derё mё derё, rrugё mё rrugё, qytet mё qytet, transmetojini energjitë dhe besimin tuaj tek çdo shqiptar”, deklaroi kreu i PD.