Baze: Berisha në gjunjë para Salianjit 

Më të fundit


Përpjeka e Berishës për të marrë shumicën zyrtare të Grupit Parlamentar përmes Salianjit, nxjerr në dritë jo vetëm pafuqinë dhe gjunjëzimin real të Berishës nga Grupi Parlamentar pro Bashës, por dhe mungesën e vlerave dhe parimeve që pretendojnë mbështetësit e tij.

Ky është një nga ato zhvillime që fotografon të vërtetën që përpiqet të fshehë Berisha për gati një vit e gjysmë, qyshkur ka hyrë në betejë kundër PD.


Së pari, tregon pafuqinë që ai ka përballë Grupit Parlamentar. Edhe pse po përpiqet të sillet si kryetar “de facto” i PD, duke injoruar ekzistencën e kundërshtarëve të tij në shumicë, ai provon me këtë se ka 24 orë mendjen vetëm tek Grupi Parlamentar dhe se si mund ta shtijë atë në dorë me metoda të stërholluara, luftë klanesh dhe mbi të gjitha, duke përdorur hallet e njerëzve me probleme brenda grupit.

Në rastin konkret ai po përpiqet të përdorë hallin që ka Salianji nga një vendim i mundshëm gjyqësor kundër tij, që mund ta çojë në burg apo ta nxjerrë nga politika, dhe shpreson që përmes hallit që Salianji mendon se e zgjidh duke u bërë kryetar, të zgjidhë dhe hallin e tij.

Ai praktikisht është një lider që i ka rënë në gjunjë Salianjit dhe aftësisë së këtij të fundit për të zgjidhur dy halle njëkohësisht, atë të vetin dhe të Berishës.

Edhe pse demokratëve përpiqet t’u shfaqet si njeri që nuk pyet për SHBA dhe Britaninë e Madhe, që do mundë Edi Ramën dhe do fshijë nga faqja e dheut Lulzim Bashën, në fakt është një njeri që e ka mendjen 24 orë se si po ecën fushata e Salianjit për mbledhjen e firmave, duke e çoroditur edhe më shumë PD dhe duke e bërë të pariparueshme ndarjen e thellë.

Nga ana tjetër, ky zhvillim është dhe një fotografi e dhimbshme e mbështetësve të Berishës, që gjoja kanë shkuar pas tij për parime dhe sistem vlerash, dhe që ishin gati të vriteshin me armiqtë e tradhtarët e tyre më 8 janar të një viti më parë.

Tani të njëjtët njerëz, të njëjtët mbështetës në shtyp dhe Foltore, janë bërë fansa të Salianjit, dhe njësoj si Berisha shpresojnë që ai t’i shpëtojë nga halli. 

E nisën në Kuvend disa javë më parë, duke bërë sherre për zaptimin e “Foltores” së Kuvendit, duke sulmuar Alibeajn pse nuk u jepte fjalën, për të krijuar një kazus që të justifikojnë sot aksionin e tyre pro Salianjit. 

Të njëjtët persona, që në fakt e kanë “shkarkuar” Alibeajn, kanë përjashtuar Bashën dhe kanë zgjedhur kryetarët e tyre të grupit, siç ka qenë Laçiano Boçi, befas po bien në gjunjë të Salianjit, me shpresë se ai do t’u japë vulën në Kuvend. 

Do të mjaftonte vetëm ky zhvillim për të kuptuar se cili është bilanci një vjeçar i betejës së Berishës, i cili ka një vit që bën betejë për vulën e PD dhe tani ka rënë në gjunjë për t’i marrë vulën Salianjit. Më lehtë e kishte të binte në gjunjë para Lulit, se më i gjatë, dhe s’kishte nevojë të përkulej kaq shumë.




Skip to toolbar