Baze: Berisha nuk do të përballet më me gjyqin e shifrave.

Më të fundit


Ka vetëm një mënyrë që jehona e poshtërimit që i bënë qytetarët thirrjes së Berishës për protestë më 11 shkurt, të relativizohet. Dhe ajo është që tani e tutje të kalojë nga protestat masive që paralajmëronte, në aksionet guerile me çeta, ku numri nuk përbën më lajm. 

Dështimi për të mbledhur njerëz dhe për të treguar forcë me numra, detyroi Berishën që ende pa mbaruar protesta të njoftonte se të hënën do të kishte protestë para Kuvendit. Ky që ka tre muaj e nuk bën dot një miting me 5 mijë vet, dhe që poston foto nga mitingjet e Lul Bashës, befas caktoi për 48 orë protestën e radhës. 
Dhe të hënën do të caktojë atë tjetrën që mund të jetë të enjten ose të hënës tjetër. 


Strategjia është e qartë. Berisha nuk do të përballet më me gjyqin e shifrave. Nuk i ka më ato. Nuk i ka njerëzit me vete. Nuk i ka qytetarët e Tiranës dhe shtresën gri. Ka vetëm ca të lajthitur të cilëve duhet t’iu paguajë naftën dhe tu japë ndonjë lek xhepi që të vijnë në Tiranë. 
Dhe tani e tutje do të ndryshojë strategji për të zhdukur lajmet negative rreth shifrave.  
Aksioni para parlamentit nesër pritet të ketë disa qindra vet, që nuk do shkojnë dot kurrë deri në 1000, por natyrisht më agresivë duke u përpjekur të prodhojnë lajme me incidente të dhunshme. Është e vetmja mënyrë të mbahet gjallë.  

Është pak a shumë në situatën e vitit 1997-1998 ku çdo natë mblidhte 200 vetë në bulevard dhe në Sheshin Skënderbej, sa të tregonte që ishte gjallë dhe herë pas here hidhnin ndonjë molotov kundër kryeministrisë dhe ndonjë parullë kundër ambasadorit amerikan të kohës. 

Tek kjo situatë është rikthyer përsëri. Tani prisni një axhend protestash me njësite guerile, që do mblidhen darkave para kuvendit, para qeverisë, apo dhe diku ku ka aktivitete qeveria. Nuk e bën më gabimin, të paralajmërojë protestë të madhe dhe të poshtërohet siç i ndodhi dje.  

Situata është pak a shumë, si tek ajo skena e filmit “Dimri i fundit” me ato gratë që bënin sikur shkonin për dru që tu çonin ushqime partizanëve, dhe kishin frikë mos i numëronin gjermanët. “Lëvizni gra se po na numërojnë” është batuta më mbresëlënëse e filmit. E njëjta gjë është me axhendën e re të Berishës. E ka tmerr t’ia numërojnë prapë.  




Skip to toolbar