Baze: Berisha po përpiqet të mbajë gjallë zemërimin kundër SHBA, duke sulmuar amabsadoren

Më të fundit


Nga Mero Baze

Sali Berisha po përpiqet të mbajë gjallë zemërimin brenda opozitës, duke përdorur sulmet ndaj ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri  Kim. Disa muaj më pare, kur ajo dorëzoi njoftimin formal për përfundimin e mandatit të saj në Ministrinë e Jashtme, Berisha i “gëzoi” demokratët pas një tuiteri të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, që njoftonte pa nevojë formalitetin e procedurës, duke e paraqitur atë si shenjë të prishjes së SHBA me qeverinë shqiptare.


Për disa kohë, e shtynë mirë me këtë fabulë. Pastaj, kur amabsadori i ri i SHBA, i emëruar nga presidenti Biden, filloi procedurat e kalimit në Komisionin e Jashtëm të Senatit  dhe në pritje të procedurave përfundimtare po vonon të vijë, Berisha ndryshoi teorinë, duke e quajtur komplot mes Ramës dhe Yuri Kim gjithë këtë vonesë.

“Shtyrjen e afatit të qëndrimit të saj këtu e holloi përmes një kurthi me Ramën dhe Xhaçkën. Rama dhe Xhaçka thanë se ambasadores i skadoi afati dhe do largohet. E vërteta është se ishte një bashkërendim që ajo t’i thoshte eprorëve që ‘ç’janë këta shqiptarët, duan që të iki’”, tha Berisha dje në një televizion.

Pra nga gëzimi që qeveria po ndjente se po largohej ambasadorja, tani ka kaluar tek loja e qeverisë me ambasadoren për ta zgjatur mandatin.

Në fakt, ambasdorja as e ka zgjatur, as ka në dorë të zgjasë mandatin. Të gjithë ambasadorët e SHBA në Shqipëri, kanë qëndruar gati një vit në pritje të zëvendësimit, dhe kjo ka lidhje me burokarcinë amerikane, jo me dëshirat e tyre.

Sali Berisha e di shumë mirë këtë gjë, pasi e ka mësuar nga pushteti.

Fakti që ai bën si budalla, nuk ka lidhje me paditurinë e tij për këtë procedurë, por me nevojën që ka për t’i mbajtur mbështetësit e tij me sytë nga Amabasada e SHBA, për ta parë atë si të keqen që u ka zënë hisen e diellit.

Dhe kjo i duhet deri në datë 14 maj. Ai e di mirë se amabsadori i ri mund të vijë pas disa mujash dhe gjithë demokratët e Berishës ka për t’i marrë malli për Yuri Kim.

Vetë Berisha e di më mirë se ata, pasi ambasadori që po vjen ka qenë një herë këtu dhe është larguar fiks kur SHBA filloi të mbajë shënim për thyerjen e embargos së naftës me ish- Jugosllavinë nga Berisha, arresimin e Fatos Nanos dhe pesë veprimtarëve të minoritetit grek.

Ai e di se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë nxihet në sytë e ambasadorëve amerikanë, që i lënë raportet njëri- tjetrit. Kjo torturë i ka nisur qysh në vitin 1994.

Dhe është e sigurtë se ambasadori aktual është gjithnjë më i mirë se ai që vjen, për Berishën. As ky nuk do ta prishë këtë rregull.

Por Berishës nuk i intereson më e ardhmja e tij. E di që e ka të errët dhe pa shpresë. I intereson t’i gënjejë demokatët edhe këto dhjetë ditë, derisa të vijnë zgjedhjet dhe t’i mbajë emocionalisht të lidhur me amabsadoren e SHBA në Tiranë, si një arsye përse do të humbasin. Më pas të bëhet si ţë bëhet.




Skip to toolbar