Baze: Drejtësia shqiptare duhet të dënojë së paku ortakët e atyre që dënoi SHBA për Gërdecin

Më të fundit


Ka një spekulim të përhershëm sa herë bie fjala për Gërdecin, Shkëlzen Berishën, Fatmir Mediun dhe gjyqin e humbur të Shkëlzen Berishës në SHBA kundër botuesve të librit të Guy Lawson “Qentë e Luftës”, që ka në qendër djalin e Sali Berishës në një skandal korrupsioni në Gërdec.

Spekulimi ndodh për shkak se në Gërdec ka dy histori korrupsioni, njëra që ka të bëjë me demontimin e fishekëve dhe përfunduar me vrasjen e 26 shqiptarëve, dhe tjetra që ka përfunduar pa i hyrë gjemb askujt në këmbë. 


Në të dyja historitë është edhe Shkëlzen Berisha, edhe Delijorgji, edhe një partner biznesi nga SHBA. Dhe të interesuarit për t’i bërë lëmsh këto histori, sapo flitet për Gërdecin, bëjnë sikur flasin për historinë e fishekëve kinezë dhe sapo flitet për fishekët kinezë, bëjnë sikur flitet për Gërdecin, me qëllim që ta bëjnë sa më konfuze historinë.

SHBA, e cila prekej direkt nga historia e dytë e korrupsionit, ajo e eksportimit të fishekëve kinezë për ushtrinë afgane nën komandën e SHBA, është marrë gjerësisht me historinë e dytë. Dy aktorët kryesorë amerikanë të kësaj historie kanë përfunduar në burg, pasi ata mashtruan shtetin amerikan duke i shitur municione kineze të blera në Shqipëri, ndërkohë që SHBA kishte embargo ndaj municioneve kineze.

Nga ana tjetër, ndërmjetësimi i  Shkëlzen Berishës në këtë histori ka 8-fishuar çmimin e municioneve, duke futur një kompani komisionere të regjistruar në Qipro në mes, çka u bë shkak për konfliktin me Kosta Trebickën, i cili vdiq i vetmuar në një lëndinë diku mes maleve të Gramshit.

Nëse gjyqi për Gërdecin që njohim ne është zhvilluar formalisht dhe disa biznesmenë janë dënuar, ndërsa tani është marrë nën hetim Mediu, gjyqi që implikon direkt në korrupsion zyrtar me konsekuenca dhe për SHBA, që ka të bëjë me shitjen e fishekëve kinezë në Afganistan, nuk u bë kurrë. Madje Shqipëria nuk hapi as çështje penale për këtë gjë.

Gazeta “New York Times” i kushtoi një shkrim tre faqe kësaj historie, me 11 gazetarë që kishin nënshkruar tekstin, por Berisha e quajti “New York Times” letër higjenike në Parlament dhe Prokuroria nuk guxoi të hetonte.

Historia u bë libër dhe film në SHBA, madje një nga filmat më të dashur për publikun, por në Shqipëri u varros. Shkëlzen Berisha u përpoq të padisë autoret e librit dhe filmit, por humbi gjyqin, duke mos provuar dot se nuk ishte pjesë e kësaj historie.

Por ndërsa në SHBA humbi gjyqin ndaj akuzuesve të tij, nga mediat me serioze të botës, në Shqipëri askush nuk e ka shfeltuar këtë dosje dhe nuk është marrë askush nën përgjegjësi.

Tani që hetimet ndaj Fatmir Mediut si ish- ministër i Mbrojtjes janë rihapur zyrtarisht, Shqipëria ka shansin të pastrojë përmes një procesi gjyqësor një histori që SHBA e ka pastruar. 

Departamenti Amerikan i Drejtësisë provoi se Diveroli dhe bashkëpunëtorët e tij në kompaninë  AEY ishin fajtorë për mashtrimin e qeverisë së SHBA dhe shkuan në burg. Ata bashkëpunuan, siç është bërë e famshme tani në gjithë botën përmes medias amerikane, dhe me djalin e Sali Berishës. 

Dëshmitari i atij takimi, Kosta Trebicka, u zhduk sapo hapi gojën. Tani e vetmja shpresë është që drejtësia shqiptare të përdorë dosjet e drejtësisë amerikane që kanë gjykuar Diverolin dhe të nis hetimin këtu për ato dosje, duke ja bashkuar hetimin çështjes së hapur të Gërdecit për ish- ministrin Fatmir Mediu. 

Është detyrim ndaj standardit të drejtësisë amerikane të gjykohet dhe pala shqiptare në atë hsitori korrupsioni, pasi Diveroli dhe bashkëpunëtorët e tij u desh të blinin mafian e pushtetit “deri atje lart, me lekë dhe kurva” për t’ia dalë mbanë, siç thoshte Diveroli. Dhe këtyre tanëve këtu, asgjë nuk u është prekur. As liria, as lekët… 




Skip to toolbar