Baze: Dy standartet e Berishëve për drejtësinë amerikane dhe shtypin amerikan 

Më të fundit


Historia e fishekëve kinezë të ripaketuar nga Delijorgji dhe Shkëlzen Berisha për kontraktorët amerikanë, u bë një hisotri e madhe në SHBA, si histori korrupsioni. 

Historia kishte dy anë të errëta. 


Për SHBA anë e errët ishte vetëm se po blinte fishekë kinezë, ndërkohë që Kina ishte nën sanksione nga SHBA, për të mos blerë mallra kineze me lekët e buxhetit amerikan. Pra po blinte mall të “armikut” në një vend mik, për shkak të korrupsionit.

Për drejtësinë shqiptare kjo nuk ishte aq problem, por ishte problem fakti që fishekët i shiteshin amerikanëve jo direkt nga shteti shqiptar, por përmes një kompanie seksere që u ngrit qëllimisht në Qipro, me një çmim tetë herë më të madh.

Pra  fishekët që ushtria shqiptare i ka në inventar me gjysmë cent, nuk ju shitën direkt kontraktorit amerikan, por sekserët shqiptarë krijuan një kompani anonime në Qipro, të cilës ja shisnin fishekët me letra dhe ajo ua jepte amerikanëve me 4 cent. Pra ata tetëfishuan çmimin e shtetit shqiptar si sekserë, duke pasur në tavolinë Shkëlzen Berishën.

Siç e thotë dhe në intervistën e sotme për Raport TV nënpresidenti i kompanisë amerikane që kishte fituar kontratën, David Packouz, në takimin ku u vendosën pazaret merrte pjesë dhe Shkëlzen Berisha, djali i ish- kryeministrit.

Drejtësia amerikane filloi menjëherë hetimet për pjesën e saj, pse kontrkatorët amerikanë po blinin fishekë kinezë dhe çuan në burg dy biznesmenë. Gazeta “New York Times” botoi një shkrim me 11 autorë, ku shpjeguan në detaje korrupsionin që prekte palën amerikane dhe nxorën emrin e djalit të Sali Berishës si sekser në këtë histori.

Në Shqipëri nuk ndodhi asgjë. Kjo çështje, e cila nuk ka të bëjë me tragjedinë e Gërdecit, pasi është histori paralele, nuk u hetua kurrë, madje nuk u nis as ndonjë hetim serioz për të. Fakti që dhe tek histoiri e Gërdecit, edhe tek kjo, janë përsëri Delijorgji, Shkëlzeni, Rrahmani etj, ka të bëjë me faktin se ata kontrollonin gjithçka që kishte lidhje me shtetin.

Gazeta “New York Times” u quajt nga Berisha “letër higjienike”.

Tani që në SHBA ka një skandal për një ish- zyrtar të FBI i cili ka krijuar konflikt interesi me disa udhëtime në Shqipëri,  situata është ndryshe. Në SHBA ka nisur hetim ndaj McGonigal, por ndryshe nga koha e Berishës, edhe në  Shqipëri ka nisur hetim.

I vetmi ndryshim i Berishës është që tani “New York Times” nuk e quan letër higjienike, por e citon. Por djalin e tij nuk ja dorëzoi kurrë drejtësisë që të bënte siç bënë amerikanët me të vetët.

Rasti i dytë është ai i revistës “Mother Jones”, e cila publikoi e para një investigim të hollësishëm mbi paqartësitë e pagesës të një lobisti amerikan, Nick Muzin, në emër të PD, me para që vinin nga Rusia.

Në SHBA nisi hetimi dhe lobisti përfundoi në burg. Në Shqipëri përpjekja për hetim u quajt gjueti shtrigash dhe çështja u mbyll. Revista “Mother Jones” u quajt fletushkë e Sorosit dhe një media antishqiptare. Madje u akuzua se McGonigal, mori para nga qeveria shqiptare dhe pagoi revistën amerikane të njolloste PD.

Për ironi të fatit sot kjo revistë boton një raport të hollësishëm mbi aferën e McGonigal dhe mediat e Berishës e citojnë si revistë prestigjioze me famë botërore. 

Ashtu është në fakt. Është gjë e mirë që kanë hequr dorë nga akuzat se është fletushkë e Sorosit. Është po ashtu gjë e mirë që kanë hequr dorë nga akuzat se ajo u pagua nga McGonigal për të akuzuar PD.

Por për të respektuar deri në fund duhet të pranojnë dhe të hetohen për çfarë  shkruan “New York Times” dhe “Mother Jones” për ata.




Skip to toolbar