Këto ditë më dolën para dhjetëra emaile dhe mesazhe nga një familje e vjetër pronare në Tiranë në Kinostudio, familja Hysa. Për vite me radhë, qysh prej vitit 2005, ata janë në një luftë me qeverinë qendrore, për shkak se toka e cila ka qenë pronë e tyre, e njohur nga Komisioni i kthimit të pronave dhe pjesërisht e kthyer pas viteve ‘90, u dha me koncesion për subjekte private, kryesisht TV Klan, Ora News etj, në Kinostudio.
Ata humben të drejtën mbi pronat e tyre thuajse paralelisht në në të njëjtën kohë kur e fitoi familja Begeja, ku është përfitues dhëndri i Berishës. Dhe kanë qenë në pozita jo dhe aq të barabarta. Familja Hysa e kishte tokën e njohur dhe pjesërisht të kthyer pas vitit 1990. Familja Begeja nuk e kishte as të njohur, as të kthyer.
Familja Hysa e kishte të zënë tokën nga një objekt kulturor me interes public, siç ka qenë Kinostudio.
Familja Begeja thjesht pretendonte të kishte tokë të shpronësuar një herë në mënyrë të dyshimtë nga Italia gjatë pushtimit të Shqipërisë.
Familjes Hysa ju mohua e drejta e pronarit dhe ju dha përparësi subjekteve private që kërkonin ta merrnin me qira, edhe pse nuk ishte vazhdim i funksionit të Kinostudios, por biznes i pastër privat. Pra TV Klan, Ora News etj, morën pronën e familjes Hysa me koncesion nga shteti dhe ndërtuan aty studio të tyre private, ndërsa pronarëve Hysa ju mohua e drejta e pronarit.
Familja Begeja përkundrazi, arriti të nxjerrë jashtë objektit Klubin Partizani, ta privatizojë atë në kohë rekord dhe të tentojë të marrë dhe leje ndërtimi pa e kthyer në pronë tokën që kishte privatizuar.
Pra kemi dy familje të mëdha pronarësh, njëra e sigurtë, familja Hysa, tjetra e dyshimte, Begeja, përballë të njëjtës qeveri klienteliste, drejtuar nga Sali Berisha.
Për dhëndrin e vet ai zhbën një institucion sportiv, ja njeh dhe kthen pronën në mënyrë të dyshimtë dhëndrit të vet dhe i jep leja të ndërtojë 17 kulla.
Për familjen Hysa, i merr pronën që ja ka njohur, e zbon nga prona e vet dhe ja jep dy klientëve të tij, duke u dhënë dhe leje ndërtimi.
Hetoni VKM sipas datave dhe do të shikoni se si ato i kanë ndryshuar sipas nevojës së Berishës për të kënaqur herë klientët e tij mediatikë e herë dhëndrin e tij, herë duke i dhënë përparësi për një kohë të caktuar pronarëve e herë jo pronarëve, po zaptuesve.
Mjafton kaq për të kuptuar se sa parimor ka qenë Sali Berisha në ligjin për koncesionet dhe atë për pronarët e vjetër, ku për dhëndrin e vet shpronëson institucionet kulturore sportive dhe i jep tokën dhëndrit, kurse për klientët e vet u merr tokën pronarëve dhe zhbën institucionet kulturore për t’u dhënë tokën atyre.