Baze: Gjithë gjërat e turbullta rreth Vjosës si Park Kombëtar 

Më të fundit


Një fushatë ndërkombëtare e sponsorizuar nga Patagonia, një kompani që promovon vlerat e natyrës dhe që ka përfshirë në fushatë dhe aktorin Leonardo Di Caprio, po jep disa rezultate.

Sot qeveria shqiptare, bashkë me ta, organizuan një konferencë në të cilën përsëritën nevojën e shpalljes së luginës së Vjosës, Park Kombëtar.


Kjo fjali është dëgjuar disa herë dhe më parë.

Të dy palët bëjnë sikur dëgjojnë njëra- tjetrën, por në fakt të dyja e dinë që  nuk është ashtu si e dëgjojmë.

Fushata ndërkombëtare për Vjosën, si një lum i egër në zemër të Europës, që duhet ruajtur, ka si kusht kryesor që rrjedha e ujit të mos pengohet. Pra zero hidrocentrale.

Qeveria kur e dëgjon këtë i numëron se sa leje ka pas ndërmend të jepnin qeveritë e mëparshme, si i kanë anuluar këta, por e lënë të paqartë pyetjen kyçe, nëse do të ndërtohet apo jo hidrocentrali i Kalivaçit, i cili ka nisur punë nga viti 2001, me leje të dhëna nga viti 1996, dhe që ka ndryshuar tanimë dhe zhvilluesin.

Nuk jam i sigurtë se Qeveria ka luksin të përballet me një arbitrazh të dytë për atë hidrocentral, që është bërë si “Guri i Sizifit”, i cili nuk mbërrin kurrë në maj.

Akoma më shumë e vështirëson vendimin  një krize energjetike botërore në horizont.

Është e qartë që ky vendim nuk është marrë dhe Qeveria nuk ka fuqi të jap një përgjigje për këtë. Sponsorizuesit e lëvizjes kundër digave në Vjosë, e kanë këtë kërkesë kryesore. Për ti kompensuar ata, Qeveria po flet përditë e më shumë për Vjosën si një Park Kombëtar.

Parku Kombëtar është një koncept më i zgjeruar i mbrojtjes së një territori, i cili nuk e pengon zhvillimin dhe investimet në zonë, që nuk bien ndesh me mjedisin. Nuk është pak nëse Qeveria arrin ta bëjë dhe këtë, por kjo nuk do vetëm deklarata, por dhe shumë investime.

Problemi kryesor që ka lugina e Vjosës, një nga luginat më të bukura të lumenjve në Europë, ku për 70 km lumi ecën mes maleve të jugut, është se ajo është një luginë e banuar dhe si e tillë, nëse merr standardin e një Parku Kombëtar, ka nevojë për investime të mëdha që të përshtasë jetesën e banorëve brenda një Parku Kombëtar.

Një lajm pozitiv është se Banka Botërore mund të ofrojë një kredi 80 milion euro për sistemin e ujërave të zeza të gjithë fshatrave dhe qyteteve, që nga Çarshova deri në Mifol, që të mos derdhen në Vjosë. Nëse projekti finalizohet, është një hap i madh përpara.

Më tej duhet që për çdo vendbanim buzë Vjosës, nga Çarshova në Mifol, të ketë një disiplinim të çdo përroi apo lumi të vogël që derdhet në Vjosë, për të ndalur mbetjet e hedhura përrenjve që derdhen në Vjosë.

Kultura e hedhjes së plehrave në përrua në fshatrat shqiptarë është e lashtë sa fshatrat tona. Duhet të ndryshojmë këtë. Në fshatin ku unë jetoj e kam bërë këtë betejë për vite të tëra, por ende disa, më shumë turp kanë t’i hedhin plehrat në kosh, se sa në përrua.

Vjosa është një lum që nëse mban dy ditë shi, mund të pesëfishojë prurjet, por kur ujërat bien, ju të gjithë mund të shikoni një pamje të shëmtuar, si në një lum indian. Qeset e plasmasit veshin pemët buzë lumit, kryesisht rrapinjë të vjetër, duke e bërë luginën, një shëmti kombëtare.

Edukimi i banorëve të zonës është mision i pamundur pa investime konkrete për derdhjet e përrenjve në Vjosë dhe pa një politikë të ashpër të grumbullimit të mbetjeve në gjithë vendbanimet.

Nga ana tjetër, si një luginë e banuar, lugina e Vjosës ka nevojë dhe për një identitet urbanistik dhe investime identitare në fushën e agroturizmit. Dhe këtu duhen serish investime në infrastrukturën e qytet-fshatrave buzë Vjosës, që shpesh herë janë më të shëmtuara se çdo gjë e shëmtuar që mund të shikosh në Shqipëri.

Ti mund të mahnitesh nga vargmalet që rrethojnë Vjosën, por jo nga ndërtimet e shëmtuara në anë të rrugëve, nga qytete kaotike dhe nga fshatra dikur të bukur, që po humbasin identitetin.

Një masterplan për një identitet urbanistik të luginës së Vjosës, bazuar në traditën historike, por dhe e pasuruar me elementë modernë, mund ta bënte luginën një atraksion me vlerë kombëtare.

Për ta bërë Vjosën, Park Kombëtar, duhet doemos t’i japim asaj një identitet, jo vetëm si luginë e bukur që na e ka fal Zoti, por si luginë qe e kemi merituar. Aty jetojnë njerëz me të njëjtin standard kaotik si në gjithë Shqipërinë dhe kthimi i saj në një Park Kombëtar, nuk nënkupton shpopullimin dhe largimin e tyre për ta kthyer në muze natyror, por në një vend ku njerëzit bashkëjetojnë me natyrën, pa shkatërruar njëri- tjetrin.

Angazhimi i Qeverisë është paksa patetik në këtë rast. Është gjë e mirë që e merr këtë angazhim, por e di që është shumë e vështirë për t’u realizuar. Do të duhen dekada të tëra që ajo të transformohet në një Park Kombëtar, ku fshatrat buzë saj të kenë identitet të qenit miqësor me mjedisin dhe vendbanimet buzë Vjosës të jenë model i zhvillimit, në përputhje me standardet e ruajtjes së natyrës dhe mos ndotjes së mjedisit. 

Kjo mund të nxiste një industri të re turizmi, që pastaj mund ta ndryshonte tërësisht historinë e saj, por para se ajo industri të guxojë të zhvillohet aty, duhen vendosur standardet dhe mbi të gjitha, qartësia se çfarë do bëhet realisht me Vjosën.

Pretendimi për Vjosën në rrjedhje të lirë pa asnjë digë është një ide e bukur, që e bën lumin të veçantë, por kjo tani është më shumë çështje juridike dhe financiare, sesa politike. Politikisht janë të gjithë dakord, madje dhe Ilir Meta që ka dhënë lejen e hidrocentralit, që po flasim.

Por angazhimi i Qeverisë për Park Kombëtar është angazhim madhor, i cili e tejkalon dëshirën vetëm për Vjosën si një lum pa digë. Nëse Qeveria e ka seriozisht, ajo duhet të shtrojë rrugën për standardet e një territori kaq të gjerë si Park Kombëtar dhe t’i sanksionojë ato me ligje të rrepta, të pandryshueshme dhe me efekt afatgjatë, me qëllim që çdo Qeveri më pas, të hedhë nga një hap më tej në këtë rrugë.

Dhe për këtë nuk ka nevojë shumë për sponsorë mediatik apo personazhe shou bizz-i, por për investitorë të mëdhenj dhe institucione financiare të cilat duhet të standardizojnë bashkëjetesën e njerëzve, qyteteve dhe fshatrave, në një Park Kombëtar. 

E di që shumë vetë kur dëgjojnë Park Kombëtar kanë parasysh një territor të rrethuar, ku ruhen pyjet, përrenjtë dhe lumi, por lugina e Vjosës nuk është ashtu. Nuk është Park ku mund të vizitoni ketra, kaproj, apo arinj, por një vend ku jetojnë mbi 100 mijë njerëz.

Duhet të ruajmë Vjosën nga njerëzit dhe po ashtu duhet të garantojmë të ardhmen e njerëzve nga Vjosa. Dhe këto duhet të thuhen qartë, qoftë edhe kur kërkojmë një lum pa digë, qoftë kur premtojmë për Vjosën si Park Kombëtar.




Skip to toolbar