Baze: Luizi dhe Ali Kilici i Maltepes, përballë SHBA 

AKTUALITET


Brenda harkut të 24 orëve, Sali Berisha ka marrë mbështetje të fuqishme nga një prej banorëve të Big Brother, Luizit, dhe administratorit të një province të Turqisë, Ali Kilici, që administron Komunën e Maltepes. Ky i fundit madje i ka shkuar dhe në zyrë, duke qenë i huaji i parë prej dy vitesh që i shkel në zyrë Berishës.

Sidoqoftë nuk është pak. Të dy kanë biseduar për të ndihmuar njëri- tjetrin, Berisha për ta ndihmuar atë të mundë Erdoganin, dhe ai për të ndihmuar Berishën të mundë Ramën.


Po aq e rëndësishme është dhe mbështetja e ardhur nga Luizi. Brenda shtëpisë së Big Brother, Luizi,ka dashur t’i tregojë Kiarës se ai që ka mundur të fitojë zemrën e Berishës, do ta fitojë një ditë dhe zemrën e saj. Por ajo shtriga akoma nuk po dorëzohet, duke bërë më e rëndësishme se Berisha.

E vetmja që ja ka prishur pak terezinë këto 24 orë është ambasadorja e SHBA në Tiranë. Ajo ka përsëritur qëndrimin e prerë të SHBA kundër tij dhe të ardhmes së tij në politikë dhe pushtet, duke u bërë thirrje demokratëve ta shikojnë veten si aleatë të SHBA, dhe jo si ushtarë të armiqve të SHBA. 

Me një fjalë u ka thënë demokratëve, nëse doni të vini në pushtet, bëhuni me SHBA, nëse doni të rrini rrugëve bëhuni me Berishën.

Kjo është paksa mizore, ndërkohë që Doktori u thotë përditë se u ringritën në këmbë. Tani janë të paqartë se kur janë rrëzuar, se më 25 prill të 2021, ata kishin më shumë vota se sa kanë sot me Doktorin më 2023. Por sondazhi i vërtetë është Big Brother. 

Me sa duket shpresa vjen nga Luizi. Derisa ai u shpreh që mbështet Doktorin, meqë Doktori e ka bërë konsull në Francë para dhjetë vitesh, ka treguar se demokratët i janë mirënjohës Doktorit për nderet që u ka bërë dhe ja kthejnë atë me nder. 

Tani nëse Luizi fiton Big Brotherin, atëherë dhe Doktori do fitojë zgjedhjet, pavarësisht se ç’thotë SHBA. Sa për aleatë ndërkombëtarë, Doktori ka Aliun e Maltepesë së Stambollit.

Yuri Kim, nuk ndërhyn dot tek Big Brother, as nuk e shpall dot “non grata” vëllain e madh.  Atë e ka në dorë populli shqiptar. Është e vetmja kështjellë e lirisë që nuk e dorëzojmë.




Skip to toolbar