Baze: Opozita që pret te “vdesë” Berisha, ose Meta… 

Më të fundit


Mendoni një vajzë apo djalë, që ka mbaruar studimet dhe vendos të merret me politikë në vitin 2022. Dy “të fortët” e opozitës janë njëri një plak 80 vjeçar, që ka qenë president e kryeministër tredhjetë vjet, plus 22 vite sekretar i Partisë së Punës, dhe tjetri një 55- vjeçar që i ka pas gjithë postet e larta të këtij vendi, nga kryeministër, president dhe kryetar Parlamenti, përfshi dhe dosjen e bashkëpunëtorit të Sigurimit, që betohet se do ta nisë nga e para duke “këputur në mes kundërshtarin”, me një fjalor që është zhdukur nga qarkullimi nga fund vitet tetëdhjetë, nga lacat e lagjeve.

Të dy janë në garë me njëri- tjetrin kush të thotë më shume marrëzira, kush të mbledhë më shumë të çmendur rreth vetes dhe akoma më keq, kush të bëjë si “më i fortë”.


Sikur të mos mjaftonte kjo, ka dhe një luftë të ftohtë mes tyre.

Ky më plaku thotë se do garojmë me kandidatë të pastër nga e shkuara e tyre, për t’i kujtuar këtij më të riut se është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ky tjetri tërbohet dhe çdo ditë poston ose boronicat e Shkëlzenit, ose foto të Tiranës që duhet të ndryshohet, nëse ai kandidon kryetar.

Pasiguria dhe trishtimi që ngjallin ambiciet e tyre në popullin opozitar janë një dhimbje më vete. Shumica shkojnë rreth Berishës, pasi u duket më i fortë, por nuk është se kanë shpresë që fitojnë me të, por kanë shpresë se vdes shpejt dhe pastaj ata nuk do quhen më tradhtarë, por do drejtojnë partinë. Nuk kanë shpresë se Berisha ikën pas humbjeve, pasi ai nuk i njeh humbje.

Nga ana tjetër ata pak njerëz që shkojnë pas Ilir Metës, shpresojnë se ai do kushtëzojë Berishën dhe ata me pak vota mund të marrin shumë pushtet.

Të dy palët sillen ndaj njëri- tjetrit si gjobaxhinj, dyshues dhe mbi të gjitha, si dy njerëz që kanë hallet e tyre të cilat duan t’i zgjidhin përmes opozitës dhe jo që kanë hallin e opozitës që duhet të zgjidhin përmes tyre.

Kjo kacafytje hajdutësh, njerëzish të degraduar dhe të dëshpëruar për fundin e tyre politik, ka zhdukur nga politika opozitare shpresën, programet, idetë dhe debatin politik që ndihmon të sfidojë qeverinë.

Një vajzë apo djalë i ri që vendos të hyjë në politikën opozitare, duhet të bëjë “zborin’ fillimisht tek Berisha apo Meta, duhet të jap prova duke sharë nga nëna Edi Ramën apo Erion Veliajn, duhet të sulmojnë si qenë gjahu gazetarët që kritikojnë Berishën apo Metën dhe pasi t’i telendisin si njerëz që nuk kanë tru, por vetëm sy për të lexuar deklarata, i hedhin aty në turmën opozitare me shpresë që t’u japin në të ardhmen ndonjë kockë pushteti.

Depersonalizimi që ata i kanë bërë politikës dhe vlerave të saj, standardi kriminal që kanë vendosur për t’u angazhuar në politikë dhe për të bërë karrierë në opozitë, është një klimë mbytëse për të ardhmen e saj.

Ndarja e madhe e PD mes Berishës dhe grupit të deputetëve, që do të vazhdojë deri më 2025, mund të ishte eliminuar sikur Berisha të pranonte vendimin e gjykatave dhe të ribënte zgjedhjet në një parti të bashkuar, ku ai nuk do të garonte pas shpalljes ndërkombtarisht në kërkim nga SHBA dhe Britania e Madhe. 

Kjo situatë nuk mund të ndryshojë duke pritur të vdesë Sali Berisha fizikisht dhe Ilir Meta politikisht. Opozita duhet të bëhet bllok kundër kësaj dysheje që i ka marrë peng për hallet e veta, ose duke përdorur votat në Parlament për të bërë pastrimin e politikës nga bashkëpunëtorë sigurimi dhe personat “non grata”, të cilët duhet të jenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Dhe kjo nuk vlen vetëm për të rregulluar opozitën dhe për të ngjallur shpresë brenda saj. Kjo vlen mbi të gjitha për të pasur një standard politik të ri në Shqipëri, ku gara të mos jetë mes një ish- bashkëpunëtori sigurimi dhe një ish- sekretari partie, se kush është më i djathtë se tjetri, por mes të rinjve që duan të bëjnë historinë e tyre dhe jo të përdoren si maskë për historitë e pista të Sali Berishës dhe Ilir Metës.




Skip to toolbar