Baze: Partia e Berishës dhe e Gruevskit, dy parti të ngjashme me fat të ndryshëm

Më të fundit


Nga Mero Baze

Partia e Nikola Gruyevskit, i cili është shpallur “non grata” nga SHBA, dhe është dënuar me burg në mungesë, ka shanse të jetë partia fituese e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga opozita në Shqipëri, e cila u dërrmua dhe u nda për shkak të shpalljes “non grata” të Sali Berishës dhe vendosmërisë së tij për ta përdorur PD si mburojë kundër SHBA, partia kryesore opozitare VMRO DPMNE, e drejtuar nga Hristijan Mickoski, bëri të kundërtën.


Pas shpalljes së Nikola Gruveskit “non grata”, dënimit të tij në mungesë pas arratisjes në Hungari, kryetari pasardhës Hristijan Mickoski, arriti ta mbajë të bashkuar partinë duke u distancuar nga Nikola Gruveski. Disa muaj më parë, madje ai ka pasur polemikë publike me Gruveskin. Edhe pse besohet gjerësisht se qëndrimet e Mickoskit janë një përpjekje për tu distancuar vetëm formalisht, e vërteta është se ai ka krijuar një elitë të re drejtuesish të lidhur me të dhe jo me Gruevskin.

Krejt e kundërta ndodhi në Shqipëri, ku Berisha sapo u përjashtua nga grupi parlamentar i shpalli luftë PD dhe krijoi partinë e tij për zhbërë opozitën dhe për të mbajtur një llogore me militantë kundër SHBA.

Pra aty distancimi nga Gruveski nuk shkaktoi asnjë dramë, dhe mbështetësit e tij qëndruan në parti, kurse këtu Berisha nuk pranoi distancimin e PD nga ai, duke shkatërruar PD.

Por kjo nuk do të thotë se Nikola Gruevski nuk ka më ndikim në VMRO- DPMNE. Disa deputetë të shquar të kësaj partie janë ende ithtarë të tij. Antoni Milloshoski, ish-ministër i Gruevskit sot deputet, që sulmoi ashpër shqiptarët pse morën kryeministrin në Shkup, është një mbështetës i hapur i Gruveskit. Si ai dhe disa të tjerë. Por ata nuk e shkatërruan partinë historike nacionaliste të Maqedonisë së Veriut për shkak të Gruveskit, por kanë mendimin se kauzën e tij e mbrojnë më mirë duke qenë të bashkuar me kundërshtarët apo kritikët e tij.

Ndryshe nga VMRO DPMNE, në Shqipëri, ithtarët e Berishës brenda opozitës, tani më shumë urrejnë Lulzim Bashën se sa Edi Ramën, vetëm pse ai u distancua nga Berisha.

Dhe e vetmja pikë e përbashkët që kanë të dy partitë, retorika kundër Perëndimit në të dy vendet funksion ndryshe.

Në Maqedoninë e Veriut ish-partia e Gruevskit e forcoi kursin antiperëndimor, duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese që i hoqën emrin Maqedonisë dhe gjithë reformat që e afrojnë Maqedoninë e Veriut me BE, dhe kjo i ka forcuar në pozicionin elektoral, pasi nacionalizmi sllav, është antieprëndimor dhe i lidhur me ndikimin e Rusisë njësoj si i Serbisë. Dhe në Maqedoninë e Veriut ka një truall antiperëndimor i indoktrinuar nga ky lloj nacionalizmi.

Në Shqipëri është e kundërta. Retorika antiperëndimore, dhe forcimi i pozicionit politik kundër SHBA dhe BE, nga Berisha dhe mbështetësit e tij, i kanë zvogëluar ata dhe e kanë përçarë dhe më shumë opozitën duke krijuar mikrofraksione të tjera, që nuk gjenerojnë më interesat e opozitës por interesa individësh.

Kjo i bën dy parti të ngjashme kaq të ndryshme në fatin e tyre politik. Njëra duke shkuar në varr pas të zotit e tjetri duke nxjerr të zotin nga varri.




Skip to toolbar