Nga Mero Baze
Deputetët e opozitës të bashkuar rreth Gazment Bardhit, duket se të vetmen gjë të përbashkët me deputetët e Berishës që janë bashkuar rreth Flamur Nokës, kanë vendin ku takohen në sallën e mbledhjes. Pastaj gjithçka tjetër që kanë në mendje apo që thonë, është e ndryshme.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Flamur Noka është shumë më i qartë se Gazment Bardhi në qëndrimet e tij, pasi ai kërkon që grupi të bashkohet rreth Sali Berishës dhe kauzës së atij aty tek rrugica.
Siç e tha dhe sot kur përfundoi mbledhja, “parlamenti i vërtetë është tek “Rrugica e Shpresës”.”
Kjo do të thotë që nëse doni të jemi të bashkuar, ejani bashkohuni me Sali Berishën. Çdo gjë tjetër nuk pranohet.
Dhe kjo është një gjuhë politike shumë e qartë dhe shumë e kuptueshme për çdo opozitar, është apo nuk është dakord.
Kurse nga ana tjetër, pra në grupin e deputetëve që shkojnë pas Gazment Bardhit, nuk ka gjuhë politike, por halle politike dhe personale të njërit apo tjetrit.
Kështu për Gazment Bardhin, halli kryesor nuk është “Rrugica e Salës”, por ai vendi i bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës. Me fjalë të tjera ai nuk do të jetë në krah të Saliut, por në krah të Damianit. Për të, aty është vendi i ëndrrave për momentin.
Për Salianjin, duhen zbutur tonet opozitare derisa të miratohet dhe amnistia, që ta heqë qafe atë gjyqin që ka tre vjet që nuk mbaron. Për këtë ka bërë kujdes të thotë se ka dhe demokratë të tjerë të dënuar për protesta, që mund të përfitojnë.
Zëra të tjerë brenda tyre kanë ide krejt të ndryshme. Dikush është për radikalizëm dhe më të madh të aksionit politik, që nuk e di çfarë nënkupton, përveç rrëmbimit të armëve, se me bomba false po luftojnë aktualisht në Parlament.
Të tjerë thonë ta qetësojmë njëherë se mos kemi mbështetje më shumë, se me luftë s’po nxjerrim gjë.
Zonja Tabaku si më institucionale, është e parimit që beteja duhet bërë në çdo pozicion parlamentar që ka opozita dhe sjell shembullin e evidencës që pati Komisioni hetimor për inceneratorët.
Pjesa tjetër hyn e del nga mbledhja pa kuptuar gjë.
Pra në gjithë atë grup parlamentar që pretendojnë që janë shumicë, e vetmja gjë e qartë është Flamur Noka, që është në pakicë, dhe thotë bashkimi bëhet vetëm tek “Rrugica e Salës”.
Të tjerët nuk kanë më axhendë politike por axhendë personale, dhe shkojnë aty si ata punëtorët shqiptarë çdo mëngjes në sheshin “Omonia”, që të gjejnë ndonjë vend pune, ose të zgjidhin ndonjë hall.
Dhe të vetmin hall të madh të tyre, Sali Berishën, atë për të cilin janë ndarë cope- copë, tani duan ta injorojnë sikur nuk ekziston, me shpresë se kështu mund t’i zhvasin ndonjë copë nga pushteti i tij.
Por problemin që kanë ata, është se qeni roje i Sali Berishës, Flamuri, është më i qartë se ata. Qartësia i vjen nga raporti i qartë që ka me Sali Berishën dhe kontakti me të.
Dhe të bësh pjesë në një grup deputetësh, ku më i qarti është Flamuri, maksimumi që mund të arrish është të bëhesh vartës i Flamurit. Po qe se të pranon Flamuri!