Baze: Pse Berisha nuk duron dot të flasë drejtësia amerikane? 

Më të fundit


Sali Berisha dhe disa mbështetës të Partisë Demokratike zyrtare bashkuan sot firmat për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kryeministrin Edi Rama, pas përfoljes për lidhjet me ish- zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, ndërkohë që çështja po gjykohet në SHBA dhe është depozituar në SPAK. 

Vendimi pasoi një seancë të lodhshme dhe të degraduar parlamentare, ku shumë deputetë të Foltores, që janë fanatikë të një udhëheqësi “non grata” në SHBA, akuzonin Edi Ramën se po i prish imazhin Shqipërisë në SHBA.


E vetmja që dukej se e kishte revoltën e përligjur ishte Albana Vokshi, pasi ish- zyrtari i lartë i FBI ka qenë vetëm një herë në zyrën e Edi Ramës, për t’i kërkuar që një kompani ruse që kishte përfaqësues në Shqipëri Arian Tartarin, ish- burrin e Albana Vokshit, të mos licencohej. Kjo i ka hequr bukën e fëmijëve dhe ka të drejtë.

Por pse nxiton Sali Berisha dhe të tjerët pas tij të ngrejnë një Komision Hetimor për një çështje që është në duart e drejtësisë më të sigurtë në botë, siç është drejtësia amerikane?

E vërteta është se sa herë që Berisha nuk pret gjë nga drejtësia, përpiqet të krijojë “drejtësinë” e tij. Është pikërisht ajo që bëri më 21 janar. Kur e pa që drejtësia shqiptare po merrte asistencë amerikane për të hetuar vrasjet politike, ai ngriti komision hetimor për të hetuar “puçin’ e Edi Ramës.

Edhe në këtë rast përdori të njëjtën gjuhë. E quajti vizitën e Charles McGonigal si grusht shteti dhe kërkoi “ta hetojë” me komision hetimor parlamentar.

Është për t’u çuditur se disa deputetë që kanë firmosur që çështja të hetohet nga SPAK, kanë firmosur po ashtu dhe për Komision hetimor parlamentar, ndoshta të kompleksuar nga Berisha, që ka gjetur rastin të shfryjë dufin kundër SHBA, duke bërë sikur e mbron nga një ish- zyrtar i korruptuar, i cili ende nuk është gjykuar.

Thënë shkurt, problemi që ka Berisha me këtë histori është se atij nuk i duhet gjyqi i ish- zyrtarit të FBI në SHBA, aq më keq nuk i hyn në punë ndonjë pafajësi e mundshme e tij.

Atij i duhet që këto dhjetë ditë të bëj sikur bën gjyq kundër Edi Ramës. 

Është pikërisht ajo që bëri me Komisionin e 21 janarit, ku shkoi të dëshmonte se ne kishim çadra pistoletë dhe thika me helm nga gjarpërinjtë e Mashkullores, aq sa e habiti  Dash Sulën, i cili ju lut me përgjërime: “Doktor, a do na i sjellësh këto fakte se qenkan interesante”. Dhe ai i tha “është në detyrën e këtij komisioni t’i gjejë faktet, unë thjesht po u sinjalizoj”.

Të njëjtën gjë po bën dhe tani. Ai po përpiqet të vizatojë armikun Edi Rama që ka korruptuar tradhtarin Charles McGonigal dhe nuk pret dot derisa drejtësia amerikane të thotë fjalën e vet, apo SPAK të fillojë hetimet, por duhet të bëjë gjyqin shpejt deri në datë 11 shkurt, se mos i dështon mitingu.

Dhe ka gjithmonë të njëjtin skenar kur nuk ka besim tek drejtësia. Sidomos tek ajo amerikane. Të ngrejë një Komision e të bëjë “drejtësinë”e tij. Të cilën SHBA e ka shpall armik për sigurinë kombëtare të saj.




Skip to toolbar