Baze: Pse Berisha po përpiqet të krijojë “makthin” e vulës? 

Më të fundit


Shtyrja e pafundme e disa proceseve gjyqësore zinxhir lidhur me legjitimitetin e drejtimit të Partisë Demokratike, po përdoret prej Sali Berishës për të krijuar “makthin” e vjedhjes së vulës dhe logos së PD nga grupi kundërshtar.

Në të vërtetë, deri tani Sali Berisha ka arritur deri këtu pa logo dhe pa vulë. Ai ka arritur të grumbullojë plot mbështetës nga baza e PD, herë duke spekuluar me sulmet kudnër Bashës e herë duke forcuar anti-amerikanizmin. Edhe më 6 mars ai kandidoi pa logo dhe vulë, por me një koalicion me Ilir Metën.


Është e qartë se gjyqtarët që kanë në dorë çështjen, nuk duan të hyjnë në gojë të tij dhe shtyjnë pafund proceset gjyqësore, edhe pse realisht gjykimi i asaj dosje është 5 minuta punë.

Problemi është se duke u zvarritur në kohë, rrethanat e gjykimit të çështjes ndryshojnë shumë nga rrethanat e krijimit të çështjes dhe kjo krijon frikën rreth zhurmës për vendimin.

Po pse Berisha bën tani sikur e ka “makth” këtë punë e vulës, kur deri tani ai ka ardhur pa vulë dhe firmë, madje me një parti të rithemeluar?

Gjyqi në thelb bëhet për të njohur PD e themeluar në vitin 1990, apo PD e rithemeluar në vitin 2021 nga Sali Berisha. Ato të dyja janë legjitime. Berishës askush nuk ja mohon PD e rithemeluar më 2021. E ka rithemeluar vet me një Komision nismëtar dhe ta regjistrojë si parti e rithemeluar.

PD e vjetër ka rrugën e saj. Ndoshta është drejt shuarjes, mund të jetë drejt rezistencës apo ringritjes, kjo është çështje elektorale, por jo ligjore. Berisha është faktor me grupin e rithemelimit dhe jo me vulën e vjetër të PD. Ai madje dhe siglën e PD e ka të ndryshme nga ajo zyrtare.

Gjykatat nuk kanë ndonjë afat për t’u shprehur dhe ndoshta nuk shprehen deri në zgjedhje për të mos ndikuar në to. Deri atëherë Berisha le të testojë partinë që ka rithemeluar, dhe Basha e Alibeaj të testojnë partinë që kanë trashëguar. Dhe pas atyre zgjedhjeve ndoshta dhe nuk ka më nevojë për gjyq, për logo e vula. 

Secili do ketë në elektorat atë peshë që do t’i japin shqiptarët dhe jo gjyqtarët. Nëse PD e Bashës dhe Alibeaj nuk kandidon në gjithë vendin dhe nuk tregon muskujt, natyrisht do shuhet.

Nëse Berisha i shkakton elektoratit që ka zaptuar, humbje të thella në shumicën e bashkive, natyrisht duhet të iki si humbës. 

Ky është me sa duket makthi i tij që tani ka rënë befas në dashuri me vulën. Se ai ka një vit që sulmon “Alibashët” si parti e vulës, kurse tani do doemos ta rrëmbejë atë vulë pa ardhur zgjedhjet.

Kjo tregon se 6 marsi nuk e ka gëzuar realisht, por e ka trembur. Se ai e di, që më 6 mars Edi Rama i la fushën e lirë se nuk rrezikonte asgjë. Tani nuk ka përballë Bashën, ka Edi Ramën.




Skip to toolbar