Baze: Shkëlzeni dashka dhe leje, dhe kulla, dhe kauza

Më të fundit


Unë mendoja se do shqetësohej Erion Veliaj, por në fakt qenka alarmuar Shkëlzen Berisha. Paska bërë një reagim të gjatë që shpjegon se deklarata e Ylli Rakipit, që e kanë ftuar në një tavolinë ku ka qenë Çim Peka me Erion Veliajn, është e stisur për luftë klanesh brenda partisë së Edi Ramës.

Me pak fjalë i bie që Ylli Rakipi të jetë pjesë e klaneve të Edi Ramës dhe ka dash të dëmtojë Erion Veliajn, por paska dëmtuar rëndë Shkëlzen Berishën.


E vërteta është se nuk ndonjë problem që dhe djali i Sali Berishës të takojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Aq më tepër që është ndërtuesi më i madh anonim në Tiranë, herë në emër të Shtufit, herë në emër të Çimit, dhe një liste të gjatë njerëzish që i përdor për maska biznesi. Në fund të fundit është mirë që dhe kryetari i Bashkisë ta dijë cili është ndërtuesi real, sidomos kur bëhet fjalë dhe për ndonjë kullë.

Problemi është që Shkëlzeni dashka dhe leje, dhe kulla, dhe kauza.

Dje deri në mesnatë e kanë futur nën presion Ylli Rakipin ta hiqte deklaratën nga faqja e portalit të tij, edhe pse ajo është me zë e figurë në dhjetëra portale të tjera, përfshi dhe Temën.

I janë lutur dhe disa bashkëpunëtorë të Shkëlzenit në emision, në shenjë solidariteti për dëmtimin e kauzës.

Sot në mesditë e kanë marrë përsëri për kauzën dhe i kanë thënë se na duhet ta përgënjeshtrojmë, se na ka dëmtuar shumë kauzën dhe kemi reagime nga njerëzit poshtë penxheres së Doktorit.

Dhe ka bërë këtë deklaratë të pështirë.

Pra ky njeri do që të jetë ndërtues i madh në Tiranë dhe është përmes emrave të shokëve, do ta ketë mirë në parim me Bashkinë, do ta shesë Belind Këlliçin, pasi ndërkohë që ai garonte me Veliajn, Shkelzeni dhe shokët e tij negocionin për kullën, dhe tani qenka prekur pse Ylli Rakipi qenka dëshmitar në një takim të tij me Veliajn në vilën 26 në periferi të Tiranës, dhe jo tek Kodra e Diellit ku ka qenë një darkë tjetër me Veliajn, me Armand Shkullakun, Andi Bushatin, Çim Pekën dhe Ylli Rakipin, tanimë kundërshtarë publik të tij.

Nuk janë krime takimet dhe drekat e darkat me gazetarë, qofshin dhe kundërshtarë. Madje janë shenje emancipimi dhe një fakt që ata nuk kanë detyrime ndaj Veliajt.

Pra gjithë fabula e Shkëlzenit është që paratë duhet t’i bëjë me qeverinë dhe bashkinë, zgjedhjet duhet t’i shesë për llogari të biznesit, por nuk është mirë të dalin fjalët se na rrallohen njerëzit poshtë penxheres.

Dhe për këtë tani i janë turrur një gazetari duke i bërë presion të tërheqë deklaratën. Gëzuar 3 majin, ditën e lirisë së shtypit nga fronti opozitar, që vajton për rënien e indeksit të lirisë së shtypit në Shqipëri.

Gëzuar opozitën parimore të udhëhequr nga e vetmja familje në botë që ka arritur dhe të vrasë për të vjedhur. Madje nga autori i masakrës.




Skip to toolbar