Baze: Si po tenton Berisha të marrë kreun e grupit parlamentarë të PD 

Më të fundit


Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, Grupi parlamentar i PD, i cili gjendet në mes të një beteje një vjeçare për t’u kontrolluar nga Sali Berisha, duhet të rikonfirmohet. Është e qartë se përpjekjet e Sali Berishës për ta marrë nën kontroll grupin kanë dështuar prej fillimit dhe duket se e vetmja gjë që e ka bashkuar deri tani Grupin, është distanca me Sali Berishën.

Në çështje të tjera grupi nuk ka funksionuar politikisht, por sa i përket raportit me Berishën ka qenë i qartë. Pra deri më sot i vetmi identitet i atij grupi është distanca me Sali Berishën. Dhe ky është një rekord historik në jetën politike të Partisë Demokratike.


Duket se me fillimin e këtij sesioni, Berisha po përpiqet të marrë kontrollin e grupit parlamentar, përmes disa deputetëve që kanë zgjedhur të jenë të pakënaqur me të dy palët, me qëllim që të bëhen faktor politik vendimmarrës për kryesine e grupit.

Një prej tyre duket se ka nisur negociatat me Berishën, duke i premtuar se mund të marrë disa vota nga grupi aktual zyrtar i PD, për të kthyer shumicën pastaj në favor të Berishës.

Nuk di sa mund të ketë sukses një iniciativë e tillë, por Grupi parlamentar i PD është deri më tani i vetmi institucion legjitim i PD i zgjedhur nga qytetarët, që dikton se kush është shumicë reale në PD.

Nëse makinacione të tilla funksionojnë dhe Berisha praktikisht arrin të zëvendësojë Alibeajn, me fjala vjen Salianjin apo dikë tjetër, përmes lojës së të “pakënaqurve”, atëherë ai do të bëjë një hap serioz drejt legjitimitetit politik mbi PD. 

Beteja për grupin parlamentar në thelb është më e rëndësishme se beteja për vulën apo zyrat, pasi Grupi parlamentar është një institucion publik i verifikueshëm dhe aktiv, i cili ndryshon dinamikën e drejtimit të PD. 

Rënia e tij në duart e Berishës, është një humbje e antiberishizmit brenda PD dhe një degradim pa kthim dhe pa shpresë e PD, të cilën pas kësaj mbetet ta marrë me vete Berisha në varr.

E di që është një lajm i gëzuar për socialistët, por në opozitë, ka një shumicë më të madhe të heshtur kundër Berishës, e cila është më e vendosur se sa shumica anti Berishë në PS. Dhe ajo shumicë duhet të përfaqësohet.




Skip to toolbar