BBC promovon mrekullitë e Shqipërisë: Njihuni me kulturën e larmishme të këtij vendi!

AKTUALITET


Një prej emisioneve më të famshme në botë mbi thesaret e tokës i ka dedikuar një spot publicitar turizmit në Shqipëri. ‘BBC World News ka ‘zbritur’ në vendin tonë për të eksploruar mrekullitë e Shqipërisë e për t’ia paraqitur ato të gjithë botës.

Ky spot do të transmetohet më 21-22 janar. Ka qenë kryeministri Edi Rama që ka ndarë një pjesë të shkurtër nga ky spot, ndërsa shkruan se kjo ishte diçka e paimagjinueshme vite më parë, por ka ardhur vetëm si pasojë e investimeve që kanë bërë në turizëm.


“Mirëmëngjesi dhe me kënaqësinë e veçantë të spotit publicitar të një prej emisioneve më të famshme në botë mbi thesaret e tokës, i cili ka një audiencë gjysmë miliardë shikues në vit, e më 21-22 janar shfaq “mrekullitë e Shqipërisë” në kanalin BBC World News, diçka e paimagjinueshme deri kur Shqipëria turistike nisi të marrë formën që po i japim vit pas viti, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

Është gazetarja Bettany Huges e cila ka ardhur në Shqipëri për të realizuar spotin, ndërsa në video thotë se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, në të cilat mund të gjesh edhe site arkeologjike ku mund të njohësh kulturën e vendit.

“Bashkohuni me mua, Bettany Huges teksa eksploroj mrekullitë e Shqipërisë. Një nga qytetet mahnitëse romake te arkeologjia e mesjetës së hershme, nga xhevahiret e qytetërimit osman deri te bunkerët brutalë komunistë. Unë do të zbuloj kulturën e larmishme të kësaj toke enigmatike”, thuhet në video.

Promovimi i Shqipërisë po gjen gjithë e më shumë hapësira në mediat e huaja të cilat sugjerojnë vendin tonë për t’u vizituar.  Edhe guida franceze ‘Petit Futé’ ka sugjeruar Shqipërinë si një ndër destinacionet që duhen vizituar në vitin 2023, madje i ka kushtuar një botim të dedikuar turizmit në vendin tonë. Gazeta më e madhe belge “Le Soir” e ka cilësuar jugun e Shqipërisë si  ‘Maldivet në zemër të Europës’, ndërsa fton pushuesit belgë që të mos e humbin këtë destinacion.




Skip to toolbar