BBC: Si po depërton mikroplastika në ushqimet që konsumojmë 

BOTA


Ndotja nga plastika është një nga trashëgimitë më karakteristike të jetesës sonë moderne, por tani kjo ndotje është aq e përhapur saqë po depërton deri te frutat dhe perimet gjatë procesit të tyre të rritjes.

Grimcat mikroplastike e kanë infiltruar çdo pjesë të planetit. Ato janë gjetur të fundosura në Detin e ngrirë Antarktik, brenda organeve të kafshëve që jetojnë në llogoret më të thella oqeanike dhe në ujin e pijshëm kudo nëpër botë.


Ndotje nga plastika është evidentuar në plazhet e ishujve të largët dhe të pabanuar dhe shfaqet edhe në mostrat e ujit detar në të gjithë planetin. Një studim vlerësoi se ka rreth 24.4 trilion fragmente mikroplastike në shtresat e sipërme të oqeaneve të botës.

Por, ato nuk ndodhen vetëm në ujë – ato janë të përhapura gjerësisht edhe në tokë dhe madje mund të përfundojnë edhe në ushqimin që hamë.

Në vitin 2022, analiza nga Grupi i Punës për Ambientin, një organizatë jofitimprurëse mjedisore, zbuloi se llumi i ujërave të zeza ka kontaminuar pothuajse 20 milionë hektarë tokë bujqësore në SHBA me substanca perfluoroalkile dhe polifluoroalkile (PFAS), të njohura edhe si “kimikate të përhershme”, të cilat zakonisht gjenden në produktet plastike dhe nuk shpërbëhen në kushte normale mjedisore.

Llumi i ujërave të zeza është nënprodukti që mbetet pas pastrimit të ujërave të zeza brenda një vendbanimi. Meqenëse asgjësimi kushton shtrenjtë dhe ajo substancë është e pasur me lëndë ushqyese, llumi përdoret zakonisht si pleh organik në SHBA dhe Evropë.

Në Evropë, kjo ndodh pjesërisht për shkak të direktivave të BE-së që promovojnë metodat më të gjelbra për menaxhimin e mbeturinave. Rreth 8-10 milionë tonë llum i ujërave të zeza prodhohen çdo vit në Evropë dhe afërsisht 40 për qind shpërndahet në tokat bujqësore.

Për shkak të kësaj praktike, toka bujqësore në Evropë mund të jetë rezervuari më i madh global i mikroplastikës, sipas një studimi nga Universiteti i Cardiff-it. Kjo do të thotë se nga 31.000 deri në 42.000 ton mikroplastikë, ose 86 trilion deri në 710 trilion grimca mikroplastike, e ndotin tokën bujqësore në Evropë çdo vit.

Studiuesit zbuluan se deri në 650 milionë grimca mikroplastike, me përmasa midis 1mm dhe 5mm hynin çdo ditë në një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në Uellsin jugor, në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjitha këto grimca përfundonin në llumrat e ujërave të zeza, duke përbërë afërsisht 1 për qind të peshës totale, në vend që të largoheshin me ujin e pastër.

Sasia e mikroplastikës që përfundon në tokat bujqësore “me gjasë është e nënvlerësuar”, thotë Catherine Wilson, një nga bashkautoret e studimit dhe zëvendësdrejtoreshë e Qendrës së Kërkimeve Hidro-Mjedisore në Universitetin e Cardiff-it.

“Mikroplastikë gjen kudo dhe [shpesh] aq të vogël sa nuk mund ta shohim”.

Për më tepër, mikroplastika qëndron aty për një kohë të gjatë. Një studim i fundit nga shkencëtarët në Univesitetin Phillips në Marburg të Gjermanisë gjeti mikroplastika deri në thellësi prej 90 centimetrash në dheun e dy fushave agrikulturore – ku për herë të fundit ishte përdorur llumi i ujërave të zeza para… 34 vjetëve!

Lërimi i tokës kishte bërë që mikroplastikat të shpërndaheshin edhe në zonat ku nuk ishte përdorur llumi i ujërave të zeza.

Përqendrimi i mikroplastikave në tokat bujqësore në Evropë është i ngjashëm me sasinë e gjetur në ujërat sipërfaqësore oqeanike, thotë James Lofty, autori kryesor i studimit të publikuar nga Universiteti i Cardiff-it.

Britania e Madhe është ndër vendet me përqendrimin më të madh të mikroplastikës në Evropë, pasi që rreth 500-1.000 grimca mikroplastike shpërndahen në tokë bujqësore çdo vit, sipas studimit të bërë nga Wilson dhe Lofty.

Përveçse ka krijuar rezerva të mëdha të mikroplastikës në tokë, praktika e përdorimit të llumit të ujërave të zeza për plehërim po e përkeqëson krizën me praninë e plastikës në oqeanet tona, shton Lofty.

Një studim i kryer në Ontario të Kanadasë gjeti se 99 për qind e grimcave mikroplastike shpërndahen në vende të tjera, jashtë vendit ku llumi i ujërave të zeza ishte përdorur fillimisht.

Marrë me shkurtime nga BBC




Skip to toolbar