BE bën thirrje për zgjedhje të qeta në veri të Kosovës: Të dyja palët të luajnë rolin e tyre

KOSOVA


Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës të kalojnë në mënyrë paqësore dhe të gjitha palët të përmbahen.

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, do të zgjedhin kryetarët e rinj. Ndërkaq, në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.


BE-ja po ashtu sërish ka shprehur zhgënjimin për bojkotimin e zgjedhjeve nga partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe ka thënë se është e domosdoshme që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.

“Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja bashkë me partnerët tanë, ishte angazhuar me të dyja palët për të ulur tensionet dhe që serbët e Kosovës të përmbushnin obligimin e tyre nga dialogu dhe të ktheheshin në institucione, ndërsa për Kosovën të mundësojë që ky kthim të realizohej. Deri më tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Është imperative që të kthehemi në situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.




Skip to toolbar