BE dhe SHBA, mesazh Serbisë: Marrëdhëniet me Rusinë nuk janë normale

AKTUALITET


Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të vendosë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, pasi Serbia priti zëvendësministrin e Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

Më 2 korrik, Grushko u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa gjatë qëndrimit në Beograd kishte takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë serbë.

“Bashkimi Evropian ka qenë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha një zëdhënësi i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se Këshilli i BE-së është në dijeni për ndihmat humanitare dhe të tjera të Serbisë për Ukrainën, por se, gjithashtu, pret që Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të përafrohet me politikën e jashtme evropiane dhe të sigurisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara “nuk besojnë se ndonjë vend duhet t’i japë Rusisë platformë për të promovuar luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë një interes të madh në rrjedhën e luftës ruse kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është e një rëndësie vendimtare të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha Departamenti i Shtetit.

Ai vlerësoi, po ashtu, mbështetjen që Serbia i ka dhënë Ukrainës deri më tani.



Skip to toolbar