BE: Riaktivizojmë dialogun/ Shefja e diplomacisë së unionit takim me Petersen në mars

BOTA


Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas ka thënë se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me të dërguarin e ri për dialogun, Peter Sorensen, për të bërë funksionale bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo tha se do të ulet në mars me diplomatin danez dhe e ka adresuar këtë edhe me ministrin e jashtëm të Serbisë. Ky i fundit është shprehur i gatshëm për të investuar kohë në normalizimin e marrëdhënieve. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian që në vitin 2011.

Vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të BE, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku.

Bashkimi Europian ndër të tjera ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.



Skip to toolbar