‘Beccheti’, zbardhet kërkesa e PD për Kushtetuesen

Më të fundit


Partia Demokratike ka dorëzuar dy kërkesa në Gjykatë Kushtetuese për çështjen Becchetti.

Kërkesa për Gjykatën Kushtetuese është zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.


Ndërsa kërkesa tjetër është deklarimi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e ngritjes së Komisionit Hetimor Becchetti.

Gjithashtu bëhet me dije se Partia Demokratike kërkon të hetoje veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë që çuan në një dëm prej 120 milionë euro.

Kërkesa e plotë:

PD ka 2 kërkesa për Gjykatën Kushtetuese:

  1. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
  2. Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e ngritjes së Komisionit Hetimor Becchetti.

PD kerkon të hetoje veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë që çuan në një dëm prej 120 milionë euro.

Ky shpërblim iu është akorduar palëve paditëse Becchetti dhe të tjerë, pasi nga faktet dhe provat e vëna në dispozicion, arbitrazhi ka konstatuar se si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme të zyrtarëve të lartë shtetërorë, ku përfshihen shtetasi Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, shtetasi Erion Veliaj, me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë dhe shtetasi Ëngjëll Agaci, me detyrë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të një rangu më të ulët si shtetasi Enkelejd Joti, me detyrë drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ish-drejtor i përgjithshëm i Top Channel, shtetasi Skerdi Drenova, me detyrë administrator i Operator të Sistemit të Transmetimit, ish-zëvëndësdrejtor i përgjithshëm i Top Channel dhe shtetasi Gentian Sala, kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive, ish-drejtor i Top Channel dhe Digitalb, sipërmarrjet e biznesmenit italian Becchetti janë shkatërruar plotësisht.

Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se neni 77, pika 2, i Kushtetutës i njeh pakicës parlamentare kompetencë hetimi, pengimi i së cilës përbën konflikt kushtetues kompetencash. Vendimi i Kuvendit për mosmiratimin e kërkesës së një të katërtës së deputetëve për ngritjen e Komisionit Hetimor parlament cënon këtë të drejtë kushtetuese të pakicës parlamentare.

E drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të mohohet apo të kufizohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Ajo është një e drejtë kushtetuese që çon detyrimisht në ngritjen e komisionit. Duke mos e realizuar këtë detyrim kushtetues, Kuvendi në mënyrë arrogante dhe paargumente, pengoi pakicën parlamentare në ushtrimin e një kompetence kushtetuese. Duke ia nënshtruar votimit parlamentar ngritjen ose jo të Komisionit, si dhe duke vendosur mosmiratimin e kërkesës së 1/4 së deputetëve, praktikisht Kuvendi ka mohuar kompetencën kushtetuese të pakicës parlamentare, duke krijuar këtë mosmarrëveshje kompetence, e cila duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, duke shfuqizuar si antikushtetues edhe vendimin nr. 80/2021 të Kuvendit.

kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së ka pretenduar se kjo kërkesë cënon parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, pasi për të njëjtën cështje ekzistojnë procese civile dhe penale. Në lidhje me këtë pretendim, dëshirojmë të theksojmë se ne jemi plotësisht të vetdijshëm se natyra e hetimit parlamentar nuk është e njëllojtë dhe nuk mund të barazohet me hetimin që realizojnë në bazë të Kushtetutës organet e tjera të pavarura apo të specializuara për kryerjen e një funksioni të tillë. Duke e krahasuar objektin e hetimit parlamentar me objektin e punës së organit të prokurorisë, konstatohet lehtësisht një dallim cilësor ndërmjet veprimtarisë së komisonit hetimor parlamentar dhe veprimtarisë së organit të prokurorisë. Në këtë mënyrë, objekti i hetimit, sipas projektvendimit të propozuar nga ana jonë, ndalon shprehimisht dublimin/mbivendosjen dhe shmangien e një institucioni të pavarur kushtetues, sic është prokuroria, në ushtrimin e kompetencave kushtetuese/ligjore të tij nga një instrument i një pushteti tjetër.

Po të shikoni me vëmendje kërkesën, ajo synon vetëm të përmbushë tre qëllimet kryesore që ka një komision hetimor: (i) kontrolli i zbatimit të ligjeve nga organet e pushtetit publik; (ii) nxjerrjen e përgjegjësive institucionale; dhe c) vlerësimin e nevojës për miratimin, plotësimin apo korrigjimin e ligjeve të vecanta (shih vendimet nr.18, datë 14.05.2003; nr. 20, datë 04.05.2007; nr.22, datë 05.05.2010; nr.30, datë 16.05.2014 të Gjykatës Kushtetuese), duke përjashtuar shprehimisht mundësinë e ngritjes së akuzave penale apo marrjen e personave si të pandehur. Kjo ndarje e qartë e veprimtarisë së komisionit hetimor dhe organeve gjyqësore është në respekt të plotë të parimit të ndarjes së pushteteve, garantuar nga neni 7 i Kushtetutës. Qartazi, argumenti i ngritur nga Grupi Parlamentar i PS-së, mazhoranca, është i pabazuar.

  1. Sa i përket pretendimeve se kërkesa shkel të drejtën ndërkombëtare, megjithëse në asnjë moment nuk u tha se cilin traktat, konventë, marrëveshje apo normë të drejtës ndërkombëtare, por vetëm u përmend sipërfaqësisht parimi i konfidencialitetit, vlerësojmë të ndalemi, edhe pse këto pretendime mund të mos merren aspak në konsideratë përsa kohë stricto sensu nuk lidhen me parime të natyrë kushtetuese. Në lidhje me pretendimin se ngritja e këtij Komisioni Hetimor cënon parimin e konfidencialitetit, i cili është një detyrim i marrë përsipër nga Shqipëria, dëshirojmë të sjellim në vëmendje tre fakte publike: (i) Përmbajtja e vendimit është publikuar thuajse në cdo media vizive, të shkruar dhe online në Shqipëri.

Pra, kërkohet ruajtja e konfidencialitetit për një vendim, për të cilin kushdo që është i interesuar mund ta aksesojë lehtësisht në motorët e kërkimit online. Mëse e kuptueshme që ky nuk është vecse një pretendim i pabazuar, për të justifikuar rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor. Megjithatë, me qëllim arritjen e konsensusit edhe për këtë pretendim absurd, deputetët kërkues kanë ofruar gatishmërinë e tyre që në cdo rast kur komisioni do të administrojë informacione, të dhëna apo dokumente, të konsideruara konfidenciale, rezervojnë të dreëjtën që në përputhje me nenin 12, pika 3 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, mbledhjet të zhvillohen me dyer të mbyllura. Por, edhe kjo garanci nuk ka mjaftuar që nga ana e mazhorancës të vlerësohet mundësia e gjetjes së një konsensusi, duke rrëzuar në shkelje të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor.