Ben Andoni: Rama & Basha dhe Meta në mes

Më të fundit



Këto janë fjalët e presidentit të vendit drejtuar kryeministrit pak javë më parë: “Nuk merrem me atë qen bir qeni unë, se e di ai fuqinë time, se po të dua unë, ai të gjejë vrimë ku të futet. Ilir Meta ka aq shumë fuqi sa ta bëjë atë që mos të ketë vrimë ku të futet. Se unë kam popullin me vete, popullin që vuan. Nuk jam me oligarkët unë. Ky është roli im, t’i dal për zot Kushtetutës. Një njeri që izolon vendin qëllimisht, që largon të rinjtë nga vendi me qëllim, që i thotë gjeneralëve të ushtrisë, mos shko te Ilir Meta, si mos ta quash qen bir qeni. Shteti është marrë peng nga një bandë, e kontrolluar nga Sorosi, se s’dua të nxjerr emrat këtu, edhe ata analistë që marrin lekë, se nuk e kam me ata. Rama bën si i fortë me shqiptarët duke grabitur dhe pushtetet”, cituar nga Argjiro lajm. Përballja e Ramës me presidentin ka shumë dimensione por lidhet edhe me një element, që për eufemizëm po themi se Meta e ka tepruar, lidhur me akordimin e dekoratave: “Ilir Meta është presidenti i parë dhe i fundit i një republike që jep dekorata për ata që kanë vdekur përpara se ky të lindte, nuk ka, nuk ekziston. Mbretërit, presidentët, nuk japin dekorata për ata që kanë vdekur më parë, për një arsye shumë të thjeshtë.

Dekorata është një simbol që të shquan ty nga të tjerët, për të gjallë mes të gjallëve, ka medalje të posaçme për ata që vriten në krye të detyrës sot. Po! Vritet një ushtar në Afganistan, i jepet medalja të shoqes. Por që të dekorosh heronjtë e popullit, kjo e bën Boratin, të vetmin origjinal më të dobët se kopja. Vojo Kushi është heroi i popullit, Ilir Meta çfarë e bën mjeshtër të punës? Mbreti, presidenti kur jep një medalje trimërie, po ky Vojo Kushi nga çfarë lartësie e sheh, apo është mbi tankun imagjinar?”


Po Basha ku është në këtë mes sherri, që më shumë se dekorata dhe parime është thjesht përpjekje për të dominuar?! Fatkeqësisht, të dy si Meta ashtu dhe Rama nuk i japin shumë peshë. Ka mbetur proverbiale ajo që thotë Meta për Bashën se të gënjen edhe kur e pyet për orën, pa ndalur për ritiradën e gjatë që kryeministri Rama i drejton për dembelinë, si ves dhe papërgjegjshmërinë, që e lidh me drejtimin e tij të Bashkisë. Po atëherë pse po flitet se janë ose më saktë se do jenë bashkë?! Bashës i duhet të jetë në pushtet për një kohë të gjatë dhe mbi të gjitha t’i shpëtojë tutelës së madhe të ish-kryeministrit Berisha, një figurë emblematike në PD por më shumë se kaq atij që ende ka peshë të jashtëzakonshme në formacionin e parë të opozitës shqiptare. Ndaj roli i Metës, si politikan pragmatist (Modeli i qeverisjes së Ramës e bëri të braktiste de facto edhe kostumin e presidentit ), kur tashmë po i afron mbarimi i mandatit, shkon shumë më tepër se kaq. Meta po humbet peshën politike me LSI-në, që i duhet ta testojë me këto zgjedhje, ndaj ka zbritur në terren. Meta ka humbur Ramën me të cilin arritën dikur “t’ua mbyllnin gojën artistëve”, kur i lanë me gisht në gojë dhe jo vetëm kaq; Meta ka humbur Bashën, që po i bën hije me lajmet që prodhon për aleancë me Ramën. Po i njëjti president, që edhe pa nisur mandatin (por i zgjedhur), u përfshi në fushatë, duke e shndërruar në garë force dhe duke i dhënë krah parashikimit se me të s’do ketë qetësi, ka humbur dhe veten. Cili do jetë pozicioni i tij pas mbarimit të mandatit si president?!

Dhe, atëherë pse është angazhuar kaq shumë Meta? Me sa duket lajmi publik i një lloj oferte të Ramës për bashkëqeverisjen e dy partive në tavolinën e presidentit është më i detajuar. Në këtë rast nuk i bën përshtypje se mund të jetë një risi pozitive për vendin, porse po i kërcënojnë realisht karrigen e politikanit, atë që nuk mund ta lerë dot për asnjë arsye. Ndaj Rama& Basha po e kërcënojnë paq ekzistencën e tij politike bashkë me partinë e tij, me të cilën Meta nuk e ruajti dot sqimën e respektit protokollar për konflikt interesi. Po shqiptarët? Nëse do të jetë e vërtetë, çfarë realisht fitojnë nga një aliazh i tillë, Rama-Basha?! Mbase pak qetësi. Koha do të rrëfejë shumë gjëra dhe do të harrojë dhe çmendurinë e këtyre akuzave, që në formë barcaletash politikanët do t’ia tregojnë njëri-tjetrit armik duke u tallur me publikun. Por Meta do jetë sërish aty në mes. Si? Mbetet nga do fryjë rasti i tij, apo si do gdhihen më Prill, Rama dhe Basha. (Javanews)