Berisha shpërfilli sërish gjykatën, Fatos Klosi: Ka bërë zullume të mëdha! Kjo dosje nuk është asgjë

Më të fundit


Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi foli për veprimet e Sali Berishës, i cili për herë të tretë nuk shkoi në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë për dosjen “Partizani”.

Ai theksoi se kjo nuk është një gjë e re, pasi Berisha i është shmangur gjithmonë drejtësisë dhe institucioneve shqiptare.


Sipas Klosit, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë zullume të mëdha në Shqipëri, duke theksuar se dosja aktuale për të cilën akuzohet, nuk është asgjë, në krahasim me veprimet e tij përgjatë viteve të shkuara.

“E ka shkelur gjithë jetën ai dhe nuk është gjë e re që t’i shkel këto rregulla. Gjithmonë i është shmangur. Ai do të hiqet mbi prokurorinë dhe mbi të gjitha pushtetet në këtë vend. Pas kësaj mund të jetë arrest shtëpie dhe nuk mund të dalë dot.

Sillet kështu për aq kohë se ka bindje se nuk I bën njeri gjë. Tani nuk është ajo kohë që s’i bën njeri gjë. Berisha ka bërë shumë zullume të mëdha në këtë vend, kjo dosje nuk është asgjë”, tha ai i ftuar në “Ora e fundit” . 

Gjithsesi, Klosi thotë se Berisha do të trembet me siguri pasi Prokuroria do të tregohet e fortë në hetimin dhe veprimtarinë e saj.

“Do trembet dhe tani nëse prokuroria speciale do të tregohet e fortë dhe unë shpresoj që do të tregohet e fortë, sepse gjërat kanë ndryshuar shumë”, tha ai.

Ai komentoi edhe vrasjet e 21 janarit, ndërsa tha se urdhëruesi i këtij krimi është ish-kryeministri Sali Berisha pasi asnjeri tjetër nuk mund ta bënte dot pa urdhër nga lart.

“Është urdhëruese, asnjëri tjetër nuk e bënte. Nuk e bënte askush, ata njerëz që qëlluan e dinë shumë mirë rregulloren, që nëse gjuan mbi turmën është gafë e rëndë dhe dënohesh rëndë.

Berisha këtë plan kishte. Protesta po mbaronte, në kohën që janë bërë qitjet. Garda qëlloi me urdhër të Berishës. Berisha e ka planifikuar atë vrasje, e ka urdhëruar atë vrasje”, tha ai.




Skip to toolbar