Beteja e Ilir Metës për të “çdekretuar”, Gjykatën Kushtetuese

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Presidenti ka nisur një betejë të re, në dukje proceduriale, për të sabotuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka refuzuar të  dekretojë si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, njërin nga kandidatët të renditur sipas Kushtetutës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke ngritur pretendime absurde se e ka pezulluar procedurën dhe afatet kushtetuese dhe se do të emëroj kandidatin e tij pasi të plotësoj më parë vakancën Kuvendi. Pra Presidenti ka “vendosur” atë që është e pamendueshme: të ndalojë zbatimin e Kushtetutës dhe të afateve që ajo e urdhëron për të vepruar. Refuzimi në dukje procedurial i Presidentit, në të vërtet është një skemë e pastër, e përsëritjes së precedentit të “çdekretimit” që Ilir Meta përdori për zgjedhjet e 30 Qershorit.


Duke qenë se pas refuzimit të tij, sipas Kushtetutës, automatikisht është e zgjedhur kandidatja e renditur e para sipas renditjes të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pra gjyqtarja Arta Vorpsi, Ilir Meta do të përpiqet të zhvlerësoj zbatimin e ligjit nga Kuvendi, duke bërë lojra fjalësh me radhën e plotësimit të vakancave. Sipas Kushtetutës, kompetencën për shpalljen e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese e realizojnë sipas radhës Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.

Ilir Meta ka shpallur vakancën që i takon Presidentit, dhe nuk është më ai që dikton radhën e plotësimit të vakancave, por Kushtetuta. Afati kushtetues i tij për të vendosur përfundon sot pas 30 ditësh, dhe meqë ai nuk e ka emëruar vetë anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, është vetë Kushtetuta që e parashikon të emëruar të parën e renditur nga KED.

Të gjitha lojrat e tjera të tij, rreth radhës që duhet të ndiqet për plotësimin e vakancave, duke u përpjekur në marrëzinë e tij për të argumentuar në mënyrë aburde antikushtetuese se këtë radhë na e përcaktoka Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, janë manovra të tij për të bllokuar formimin e Gjykatës dhe për të prodhuar akte juridike të çmendura si çdekretimi i zgjedhjeve, duke mos njohur anëtarët që zgjidhen në rrugë ligjore.

Ajo që duket në horizontë është se Ilir Meta mund të prodhoj ndonjë “çdekret” për emërimin e gjyqtares që mbushi vakancën e Presidentit, për ta futur në një spirale pa fund ngritjen e Gjykatës. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është hapi vendimtar që ritkhen në normalitet krizën institucionale në Shqipëri.

Gjykata Kushtetuese është në pritje për të konfirmuar fatin e Presidentit Ilir Meta, dhe për të krijuar garanci që vendi mund të hyj në zgjedhje, pas çmendurisë që Presidenti bëri me zgjedhjet e 30 Qershorit. Beteja e Ilir Metës për të krijuar kurthe proceduriale të shpikura kundër llogjikës kushtetuese, në të vërtet është një përsëritje e skemës së 30 Qershorit, të çdekretimit të zgjedhjeve për ta mbajtur vendin në krizë të përhershme kushtetuese, dhe për ti mbijetuar shkarkimit të tij.




Skip to toolbar