Biden jep urdhrin, SHBA sanksionon udhëheqësit e puçit në Mianmar

BOTA


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, lëshoi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve kundër udhëheqësve të puçit ushtarak në Mianmar. Sanksionet godasin dhjetë individë, përfshirë ushtruesin e detyrës së presidentit, dhe tri kompani. Hapa u ndërmorën edhe për të bllokuar qasjen e ushtrisë në një miliard dollarë fonde të Qeverisë së Mianmarit, që mbahen në SHBA.

Ushtria e Mianmarit, vendit që ndryshe njihet edhe si Birmani, ka organizuar puç më 1 shkurt, duke përmbysur Qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Aung San Suu Kyisë. Dhjetëra mijëra njerëz janë duke protestuar prej një javë, përkundër ndalimit të tubimeve të mëdha nga autoritetet dhe vendosjes së orës policore.


Ka raporte për njerëz të plagosur rëndë, pasi policia përdori gazin lotsjellës, topat e ujit dhe plumbat e gomës kundër protestuesve. Presidenti Biden kërkoi zmbrapsjen e puçit dhe lirimin e udhëheqësve civilë, përfshirë Suu Kyinë. “Zërat e popullit të Birmanisë po dëgjohen dhe bota po shikon”, tha Biden, duke u zotuar se do të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme.
“Do të vendosim kontrolle të forta të eksporteve. Do ta ngrijmë pasurinë në SHBA, nga e cila përfiton Qeveria birmaneze, ndërsa do ta vazhdojmë mbështetjen për kujdesin shëndetësor, grupet e shoqërisë civile dhe zonat e tjera, nga të cilat përfiton drejtpërdrejt populli i Birmanisë”, tha Biden. Kjo është hera e parë që Biden përdor sanksionet, prejse ka marrë detyrën e presidentit më 20 janar.




Skip to toolbar