Biden takon Melonin: Të përkushtuar për stabilitet dhe shtensionim në Ballkan

BOTA


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, diskutuan, ndër tjerash, për situatën në Ballkanin Perëndimor gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më 27 korrik.

Sipas deklaratës së përbashkët të liderëve të SHBA-së dhe Italisë, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, ndër pikat e diskutimit në takimin e tyre ishte sigurimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, rajon ku bëjnë pjesë Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovina.


“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të kahmotshme për integrimin euroatlantik të rajonit”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se dy vendet do “të përforcojnë koordinimin për të favorizuar de-përshkallëzimin”, mirëpo nuk specifikohet se për çfarë përshkallëzimi bëhet fjalë.

Situata në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – ka qenë e tensionuar që nga 26 maji i këtij viti, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut – hynë në objektet komunale.

Serbët lokalë kanë protestuar që nga 26 maji, ndërsa tensionet kishin kulmuar më 29 maj kur pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ishin lënduar gjatë përleshjeve me protestuesit.

Në deklaratën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se SHBA-ja e “mirëpret angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it”.

Në mesin e ushtarëve të lënduar nga përleshjet e 29 majit ishin edhe 11 ushtarë italianë, si dhe 19 ushtarë hungarezë.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar dy muaj më parë.

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.




Skip to toolbar