Biden: Trump nuk duhet të marrë informacione zbulimi

BOTA


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden deklaroi se paraardhësi i tij nuk duhet të vihet në dijeni për informacionet e zbulimit. Sipas Biden, ky vendim duhet të zbatohet për shkak të “sjelljes së çorientuar” të Trump dhe shqetësimit se ai mund t’ua japë atë informacion të tjerëve. Gjatë një interviste mbrëmjen e djeshme Biden kur u pyet nga drejtuesja e emisionit CBS Evening News, Norah O’Donnell nëse ish-presidenti republikan Trump, duhet t’i merrte informimet e zbulimit ai tha se; “Mendoj se jo”.

Ish-presidentët amerikanë tradicionalisht kanë marrë disa informacione zbulimi edhe pasi kanë lënë detyrën. Ish-presidenti Trump e denigronte shpesh komunitetin e zbulimit dhe nuk preferonte raportime të gjata për zbulimin gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai kishte vënë gjithashtu në pikëpyetje përfundimet e zbulimit amerikan sipas së cilave Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.


I pyetur se cili do të ishte shqetësimi i tij më i madh nëse zoti Trump do të merrte informacion të tillë të klasifikuar sekret, presidenti Biden nuk pranoi të hynte në hollësi. “Do të preferoja të mos spekuloja me zë të lartë. Thjesht mendoj se nuk ka nevojë që ai të ketë informacione të tilla. Çfarë vlere ka t’i japësh atij një përmbledhje informacioni zbulimi? Çfarë ndikimi ka ai, përveç faktit se mund t’i rrëshqasë goja dhe të thotë diçka?”, tha presidenti Biden.




Skip to toolbar