Blinken: Aneksimi i territoreve ukrainase nga Rusia “nuk do të njihet kurrë” 

BOTA


Bashkimi i territoreve në lindje dhe jug të Ukrainës me Rusinë nuk do të njihet kurrë, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Reagimi amerikan u bë pas publikimit të rezultateve të një referendumi të organizuar nga Moska në disa rajone të Ukrainës që përbëjnë 15% të territorit të Ukrainës. Perëndimi e ka quajtur referendumin një farsë.

Zyrtarët e vendosur nga Rusia në rajonin Donetsk të Ukrainës deklaruan fitoren në një referendum për bashkimin me Rusinë me mbi 99% të votave pro.


Katër rajonet ku është votuar: Donetsk e Luhansk në lindje dhe Zaporizhzhia e Kherson në jug, përbëjnë rreth 15% të territorit ukrainas.

“E kemi ëndërruar në vitin 2014 dhe kemi vepruar për këtë. Kjo është një ditë historike. Ne po bashkohemi me atdheun tonë të madh, me Rusinë e madhe”, tha pas shpalljes së rezultateve udhëheqësi i Republikës së vetshpallur të Donetskut, Denis Pushilin

Kutitë e votimit u çuan shtëpi më shtëpi nga zyrtarët në atë që Ukraina dhe Perëndimi e dënuan si referendum farsë për të krijuar një pretekst ligjor për aneksimin e katër rajoneve dhe justifikuar kërcënimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të përdorur armë bërthamore në mbrojtje të “integritetit territorial” të Rusisë.

Perëndimi dhe Ukraina e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do t’i njohin rezultatet e referendumit.

“Ne nuk do ta njohim kurrë aneksimin e territorit ukrainas nga Rusia… Ukrainasit do të vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë territorin e pushtuar. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ata në këtë përpjekje”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të martën, gjatë një konference shtypi me homologun indian, Subrhamanyam Jaishankar.




Skip to toolbar