Mosmarrëveshjet për “Brexit” bënë që britanikët t’u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryeministrin dhe qeverinë e re. Zgjedhjet mbahen zakonisht çdo 4 ose 5 vjet, por Parlamenti mund të votojë për mbajtjen e tyre sa herë që dëshiron. Këto janë zgjedhjet e treta nga viti 2015 dhe të dytat që kur Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian dhe që nga ajo ditë e deri më sot vendi është përfshirë në debate dhe mosmarrëveshje.
Kryeministri aktual, Boris Johnson, është zotuar se do ta përfundojë marrëveshjen Brexit duke synuar që Britania e Madhe të largohet nga BE brenda janarit të vitit 2020. Ndërsa rivali i tij Jeremy Corbyn premton të organizojë një referendum të dytë për largimin nga Bashkimi Europian.
Sipas sondazheve të fundit, kryeministri aktual Boris Johnson është në avantazh me 9 pikë përqindje ndaj Laburistëve.
Partia Konservatore e Boris Johnson dhe ajo Laburiste janë më të mëdhatë, ndërsa në garë janë edhe disa parti më të vogla. Nëse njëra parti fiton më shumë se gjysmën e vendeve në Parlament, ajo do të formojë qeverinë dhe lideri i saj do të bëhet kryeministër.