Bruksel, Beleri “bashkon” Tiranën/ Komisioneri grek: Çështje evropiane. Hasani: Çështje e drejtësisë

AKTUALITET


Mbledhja e përbashkët në Bruksel e parlamentarëve shqiptarë me eurodeputetët riaktivizoi çështjen e Fredi Belerit, pasi kryetar për BE-në i këtij komiteti ishte greku Manolis Kefalogianis. Ai e konsideroi rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, çështje evropiane.

“Fatkeqësisht kjo cështe nuk është një cështje bilaterale mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ajo i ka kaluar kufijtë mes dy vendeve dhe është një çështje evropiane. Është një çështje mes BE-së dhe Shqipërisë.”, tha Manolis K. Kefalogiannis.


Përgjigjia iu dha nga ministri ynë i jashtëm, Igli Hasani, i cili tha prerë se qeveria nuk do të ndikojë tek drejtësia për këtë rast.

“Kjo është një cështje që ju përket organeve të drejtësisë dhe duhet të vazhdojë të trajtohet si e tillë, edhe kur flasim me kolegët dhe miqtë grekë. Beleri nuk është një çështje evropiane, do të vazhdojë të mos jetë një çështje evropiane. Koha kur sistemi i drejtësisë bënte marrëveshje me politikën, ka përfunduar.“, theksoi Hasani.

Por gjuha u ashpërsua nga eurodeputetë të tjerë grekë.

“Kjo nuk është një çështje personale, dhe as brenda kufijve të BE-së. Ajo është bërë një çështje ndërkombëtare. Ky rast është një dhunimin i të drejtave të minoritetit tonë grek në Shqipëri, veçanërisht nga qeveria. Të lirohet dhe të marrë detyrën.”, u shpreh Kapadakis.

Edhe deputetja e opozitës Jorida Tabaku iu doli kundër eurodeputetëve greke duke e quajtur çështjen e Fredi Belerit një çështje dy palëshe, dhe jo evropiane.

“Më lejoni t’ju them se Shqipëria ka plot probleme në lidhje me zgjedhjet. Por sic Greqia ka qenë një mbështetëse e madhe për ne në rrugën integruese, nuk do të doja që ky moment të përdoret për të ndalur Shqipërinë. Besoj se ju dhe kolegët tuaj do të luani një rol shumë pozitiv për zhbllokimin e kësaj situate për të mos lejuar që çështje bilaterale, të ndalojnë Shqipërinë në rrugën e integrimit.”, nënvizoi Tabaku.

Pavarësisht përplasjeve në Tiranë, mazhoranca dhe opozita e gjetën gjihën për një deklaratë të përbashkët, ku adresohen edhe shqetësimet e pakicës parlamentare./abcnews.al




Skip to toolbar