Brukseli propozon një certifikatë sanitare për sezonin veror

BOTA


E destinuar për të lehtësuar lëvizjet e europianëve, certifikata sanitare mund të hyjë në fuqi në fund të qershorit. Vlefshmëria mund të zgjasë deri sa OBSH të deklarojë fundin e pandemisë. 

Le Monde, në bashkëpunim me AFP dhe Reuters


Komisioni Europian synon hyrjen në fuqi të një certificate sanitare e destinuar të lehtësojë levizjen e lirë në Bashkimin Europian, në prespektivën e pushimeve verore. Nisma u është prezantuar eurodeputetëve nga Komisari Europian i Drejtësisë, Didier Reynders, sot ( e martë 13 prill). 

‘’Ne duam të mund të fillojmë me këtë system në fund të qershorit’’, njoftoi ai përpara komisionit të lirive civile, të drejtësisë dhe të punëve të brendshme të Parlamentit Europian. PE synon të adoptojë këtë rregullore gjatë seancës plenare nga data 7 deri më 10 qershor, pas negociatave me shtetet anëtare për këtë ‘’certifikatë të gjelbër’’ të propozuar nga Komisioni. Kjo certifikatë është e destinuar të lehtësojë lëvizjen e europianëve, të cilët mund të dëshmojnë se janë testuar negativë, apo janë imunizuar pasi janë prekur nga virusi. Kjo do të evitonte masat shtrënguese (karantinë, test) në vendin pritës. 

Kjo rregullore synon një kuadër europian të harmonizuar, pasi tashmë disa shtete të BE-së, apo të hapësirës Schengen, kanë nisur aplikimin e një certifikate të tillë. Komisari i BE-së tha se kjo certifikatë sanitare do të ishte e përkohshme, deri sa OBSH të shpallë fundin e pandemisë, ndërkohë që disa eurodeputetë kërkuan një afat të përcaktuar. Zoti Reynders nënvizoi gjithashtu se përdorimi i certifikatës për arësye të tjera (përveç levizjes së lirë) ishte përgjegjësi e shteteve anëtare, por që ato duhet ta bëjnë këtë brenda një kornize ligjore që respekton të drejtën europiane, në veçanti në lidhje me të dhënat personale. 

Nëse kjo certifikatë do të jetë falas për qytetarët europianë, Didier Reynders gjykoi se çmimi i certifikatës, apo vendosja e një çmimi tavan për testet (siç kërkoi eurodeputetja Veld), do të ishte një ndërhyrje në kompetencën e shteteve anëtare në fushën e shëndetit publik. 

Për sa i përket mbrojtjes së të dhënave, temë shqetësuese për eurodeputetët, ai sqaroi se certifikata do të kishte informacione të limituara, më të reduktuara sesa për certifikatën e vaksinimit të OBSH-së. ‘’Zgjidhja teknike e parashikuar nuk do të kërkojë krijimin e një baze të dhënash të centralizuar në nivel europian’’, insistoi ai. Në kuadrin e këtyre certifikatave, vendet anëtare nuk do të jenë të detyruara të pranojnë vetëm vaksina të autorizuara nga BE, por do të jenë të lirë të pranojnë edhe vaksina të tjera. 

Kompanitë ajrore mund të verifikojnë këto certifikata sanitare përpara se të lejojnë hipjen në avion të pasagjerëve që shkojnë me pushime këtë verë, tha Didier Reynders. ‘’Kjo mund të realizohet në kohën e check-in’’, tha ai. Diskutimet e gjata në hyrje ku krijohen rradhë duhet të shmangen’’. 

Europa gjendet në mes të  valës së tretë të pandemisë dhe vendet e jugut të BE-së, me ekonomi shumë të varur nga turizmi, ushtrojnë presion për të gjetur një instrument i cili do të shpëtonte sezonin dhe do të ruante hotelet, restorantet dhe atraksionet e tjera turistike për këtë verë, ndërkohë që Belgjika, Franca dhe Gjermania janë më skeptike. 

Zoti Reynders argumentoi se kjo certifikatë nuk do të ishte një ‘’pasaportë vaksinimi’’. Fakti i të qenit i vaksinuar nuk mund të japë në vetvete të drejtën për të udhëtuar lirshëm, sepse kjo do të përbënte diskriminim ndaj atyre që nuk munden, apo nuk duan të vaksinohen. /le monde




Skip to toolbar