Miratimi i një ligji që mundëson një trajtim të ashpër në burg për personazhet e rrezikshëm të botës së krimit u përcoll me bujë në publik në janar të vitit 2019. Por zbatimi i vërtetë i tij, izolimi i të dënuarve “VIP” sipas modelit italian “41 BIS” pritet të nisë në shtator.
Periudha disamujore ka shërbyer për bashkërendimin mes institucioneve që listojnë personat që do izolohen dhe për hartimin e rregullores që do të zbatohet në korridoret e monitorimit ekstrem. Në Itali ky regjim u përdor për të shkëputur marrëdhëniet e bosëve të mafias me botën jashtë qelisë dhe për t’u hequr atyre mundësinë e dhënies së urdhrave nga burgu.
A2 ka siguruar një kopje të urdhrit të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për miratimin e rregullores që do të zbatohet në Regjimin e Posaçëm. Ky lloj trajtimi është burgu i vërtetë për “boss”-ët e krimit. Ai kufizon takimet me familjarët në vetëm 1 në muaj, detyron regjistrimin audio e video të takimit, kontrollon korrespondencën e tij, si edhe kufizon daljen e tij në ajrim.
Në një urdhër pasardhës, ministrja e Drejtësisë përcakton se regjim “41 bis” do të ketë vetëm në dy burgje, në atë nr. 313 në Tiranë dhe në burgun e Peqinit. Burgu 313 është klasifikuar një institucion paraburgimi dhe përveç sektorit të regjimit të posaçëm do të ketë edhe një sektor për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Në të njëjtin urdhër është bërë rikualifikimi i burgut të Fushë-Krujës nga një burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme. Ulja e sigurisë detyron autoritetet të zhvendosin ata që vuajnë dënime të rënda apo të përjetshëm, çka solli nënshkrimin e një peticioni kundërshtues nga 88 prej tyre.
Këtij regjimi shtrëngues do i nënshtrohen 270 të dënuar ose që janë në proces gjykimi, që dyshohet se mbajnë kontaktet me botën e krimit jashtë hekurave. Për ministren Gjonaj regjimi i ri i sigurisë në burgje, sipas modelit italian 41 Bis, “është një hap më tej në konsolidimin e luftës kundër krimit të organizuar, hap që do të shoqërohet nga iniciativa të tjera”.
Çfarë është “41 bis”
Për herë të parë të parë në Itali termi “41-bis” është prezantuar në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovani Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostrës, Toto Rina në nëntor të 2017-ës, “41-bis” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje.
Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.
Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme.