Bushati dhe 3 ish ministra, letër BE: Çelja e negociatave pasuron Europën

AKTUALITET


Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati së bashku me 3 homologë të tij i kanë dërguar një letër Bashkimi Europian, përmes të cilës bëjnë thirrje për vendosjem sa më parë të një date për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Letra e nënshkruar nga Bushati për Shqipërinë, ish ministri i Jashtëm, Daniel Mitov i Bullgarisë,  Jannakis Kasoulidis për Qipron dhe ish ministri i Jashtëm, Nikolaos Kotzias për Greqinë është publikuar në disa gazeta evropiane.


Ish ministrat i bëjnë apel BE-së, që pavarësisht probleme të brendshme që ka, të hapë negociatat për dy shtetet e Ballkanit, si një mesazh i qartë për reformat që ata kanë ndërmarrë por edhe si një mbështetje për demokracinë e tyre të brendshme dhe konsolidimin e këtyre shteteve.

“Komisioni Evropian prezantoi komunikatën e tij për Politikën e Zgjerimit të BE-së për vitin 2019, me raportet shoqëruese të vendeve, më 29 maj të këtij viti. Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin drejtuar Këshillit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bazuar në progresin e kalendarin e miratuar në qershor 2018 nga vetë Këshilli.

Pavarësisht se është ndoshta politika me e suksesshme e transformimit të BE, asnjëherë me parë politika e zgjerimit nuk ka qenë subjekt i kaq shumë kundërshtive brenda vetë BE.

Ne i bëjmë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mbështesin rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Procesi i anëtarësimit në BE rrit mundësitë për të përmirësuar demokracinë dhe zhvillimin socio-ekonomik, për të siguruar të drejtat e qytetarëve në këto vende. Përmes monitorimit dhe shqyrtimit të progresit të arritur, BE do të asistojë dhe do të veprojë si partner në këtë proces.

Rritja socio-ekonomike e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE do të kontribuojë vendosmërisht për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e një shteti demokratik, drejtësinë dhe lirinë e shprehjes në të dy këto vende”, shkruhet në letër.

Bushati dhe tre homologët e tij, ish ministra të jashtëm, theksojnë gjithashtu se pranimi i këtyre shteteve nuk do të thotë t’i bësh atyre nder, përkundrazi ky proces do të pasurojë unionin në tërësi.

“Nevoja për të filluar procesin e anëtarësimit për të dy vendet përkon me kërkesat e shoqërive të tyre, historisë së tyre dhe vetë rajonit. Ajo përkon, megjithatë, me nevojën e vetë Bashkimit Europian. Pranimi i tyre nuk do të thotë ti bësh nder dikujt, por është pasurim i vetë Projektit Europian.

Ne i bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE, por kryesisht dy shteteve kryesore, Gjermanisë dhe Francës, të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Europës dhe të përmbushin premtimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të veprojnë me përgjegjshmërinë e duhur dhe të mos shtyjnë rrugën europiane për këto dy vende. Në këtë kontekst, duhet që Këshilli i Europian i qershorit, pa hezitim, të vendosë një datë për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, përfundon letra.

Ditën e martë, Këshilli i Europës, ndërsa vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe përmbushjen e të gjitha kushteve nga qeveria shqiptare, shtyu për në tetor çeljen e negociatave. Shkak u bënë çështjet e brendshme me të cilat po përballet vetë unioni, por edhe situata politike në Shqipëri, e cila ka ndikuar negativisht tek disa shtete anëtare të BE që duhet të japin votën pro çeljes së negociatave.




Skip to toolbar