Bushka: Ina Goxhajn e kam kushërirë, nuk e kam penguar të thotë të vërtetën!

AKTUALITET


Emri i saj doli në dosjen hetimore të SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si person që ka takuar para dhe pas hyrjes në SPAK deklaruesit për çështjen, në disa raste në shoqërinë e Ajola Xoxës.

Por, kryetarja e Komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka në shpjegimet që dha sot para ligjvënësve socialistë në mbledhjen e grupit parlamentar, shprehet se asnjëherë nuk është përpjekur për të penguar të vërtetën.

Në lidhje me takimin që ka pasur me Ina Goxhaj, një nga dëshmitaret që është pyetur nga SPAK gjatë procesit hetimor, Bushka tha se personi në fjalë është kushërira e saj.

“Sa i përket pretendimit për pengesë të së vërtetës. Po e kam takuar vajzën në fjalë si person që kam punuar më parë dhe kam lidhje gjaku. Ina Goxhaj është kushërira ime. E kam qetësuar duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe i kam sugjeruar si juriste një kushërire të drejtat e saj. Vetëm kaq, nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fsheh ndonjë të vërtetë sepse jam e para e interesuar që e vërteta të dalë”, tha Bushka.

Më tej deputetja e PS hodhi dyshimet se Goxhaj mund të jetë intimiduar apo vendosur nën presion gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e SPAK për të bërë deklaratën që përfshin edhe Bushkën.

“E kam kritikuar kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo ishte drejtoreshë nuk ishte ndryshuar nga viti 2017 edhe pse ia kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di të shpjegoj çfarë ka ndodhur në prokurori apo çfarë trysnie ka ndjerë kushërira ime, që në bisedat tona private ajo i ka sjellë me kontekst tjetër. Kjo është e vërteta ime, por për këtë nuk jam thirrur kurrë”, u shpreh Bushka.



Skip to toolbar