Tirana e Prishtina, plan për të rritur njohjet e Kosovës

AKTUALITET


Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, që prej marrjes së detyrës. Gjatë vizitës në Prishtinë, në këtë moment shumë të rëndësishëm, sa i takon bashkëpunimit dypalësh mes shteteve tona, Cakaj zhvilloi një sërë takimesh me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës.  


Fillimisht, Cakaj u takua me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca. Gjatë takimit homologët shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për nxitjen e bashkëpunimit strategjik e gjithëpërfshirës në fushën e politikës së jashtme me qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive dhe harmonizim të objektivave strategjike dhe diplomatike kombëtare. Gjithashtu, sa i përket zhvillimeve rajonale, palët diskutuan për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe shumëpalësh. Cakaj siguroi homologun Konjufca, se Shqipëria do të vijojë angazhimin në mbështetje të Kosovës në procesin e avancimit të njohjeve dhe anëtarësimeve në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare.



Më pas, Cakaj zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Në takim, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu, theksuan rëndësinë e konkretizimit të Partneritetit Strategjik e gjithëpërfshirës mes Shqipërisë dhe Kosovës, si një model për inkurajimin e bashkëpunimit rajonal. 


Gjithashtu, Kryediplomati u takua me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Palët vlerësuan bashkëpunimin midis të dy kuvendeve dhe komisioneve parlamentare në vite, si dhe shprehën angazhimin e qeverive për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar, si një shtysë për avancimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat. 


Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi edhe një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gjatë takimit, palët u dakordësuan për rëndësinë e vlerësimit të imtësishëm dhe vënies në zbatim të marrëveshjeve të arritura gjatë pesë G2G mes dy vendeve, si dhe rritjen e koordinimit mes institucioneve dhe qeverive të dy vendeve në funksion të forcimit të rolit të shqiptarëve në rajon dhe forcimit dhe promovimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.




Skip to toolbar