Çështja “Beleri”, Zaçaj: Seanca për masën e sigurisë caktohet kur t’i vijë radha

AKTUALITET


Në Gjykatën Kushtetuese janë 3 kërkesat e depozituara nga kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri. Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtuar nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci, kryetarja e kësaj gjykate, Holta Zaçaj tha se aktualisht në shqyrtim është kërkesa e dorëzuar në Shtator të vitit që lamë pas që ka të bëjë me ndryshimin e masës së sigurisë. Zaçaj tha që çështja po shqyrtohet dhe nuk rezulton që të ketë ndonjë kërkesë për përshpejtim nga palët e përfshira në proces.

“Dua t’ju ve në dijeni që në datën 28 Shtator 2023, GJK ka marrë në shqyrtim çështjen dhe ka vendosur kalimin e saj në seancë plenare. Ne nuk kemi filluar ende, ne jemi duke shqyrtuar çështje që janë akoma të Majit 2023, pra nuk ka ardhur ende në proces. Është duke u përgatitur, janë duke u marrë gjithë materialet. Në GJK në momentin që një çështje bëhet gati dhe relatori është gati, patjetër që kërkon datën dhe vendoset në seancë plenare. Nga ana tjetër, në këtë çështje, në çështjen e parë të masës së sigurisë nuk na rezulton të ketë ndonjë kërkesë për përshpejtim nga palët e përfshira në proces. Në lidhje me dy kërkesat e tjera, sepse kemi 3 kërkesa pak a shumë të lidhura me këtë çështje, dy kërkesat e tjera janë paraqitu më datën 3 dhe 10 Janar 2024, të cilat janë në fazën e shqyrtimit paraprak dhe nuk kemi akoma sepse janë më pak sesa një muaj”.


Gjykata Kushtetuese e kaloi për shqyrtim çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, në Tetor të 2023-it. Beleri iu drejtua kësaj gjykate me kërkesën për shpalljen e pavlefshme të vendimit për arrestimin e tij si dhe mbajtjen në qeli, masë që e privon dhe nga betimi si kryebashkiak.

Prej 12 Majit, Fredi Beleri është vënë në arrest me kërkesë të SPAK, pasi akuzohet për korrupsion në zgjedhjet lokale të mbajtura këtë vit. Bashkë me të në pranga përfundoi dhe Pandeli Kokaveshi për të cilin ka dyshime se ka bashkëpunuar me Belerin në blerje votash.




Skip to toolbar