Çështja e detit, Rama: Greqia zbatoi një të drejtë ndërkombëtare, gjithçka të zgjidhet me palë të tretë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama, i ftuar në Athinë, në takimin e organizuar nga “The Economist” me titull “Ballkani Perëndimor përtej 2020”, duke folur për çështjen e detit me Greqinë, deklaroi se gjithçka duhet zgjidhur me palë të tretë ose gjykata ndërkombëtare.


“Duhet të shikojmë dallimet mes nesh si thesar, duke ua lënë trashëgimi fëmijëve, këtë burim të madh energjie dhe harmonie. Duhet të mos ketë urrejtjes mes ballkanasve. Kur bëhet fjalë për detin, ta zgjidhim me palë të tretë ose me anë të gjykatave ndërkombëtare, që të mos përdoren nga politikanë si patriotë.

Imagjinoni që kryeministri grek thotë se do të shtojmë 12 milje kufirin detar, sipas Konventës Ndërkombëtare dhe një të drejte të Greqisë. Kjo bën që në Shqipëri të ndizet debati në rrjetet sociale. Ne kemi marrëdhënie strategjike si me Turqinë dhe me Greqinë. Të dyja shtetet janë të rëndësishme për Europën. Duhet dialog i mirfilltë. Marrëdhëniet konstruktive Greqi – Turqi janë diçka e mirë për Europën”, tha Rama.

Më tej, Rama theksoi se BE sot nuk është në formën më të mirë, duke shtuar se Shqipëria duhet të forcojë marrëdhëniet me fqinjët.

“Ne duam të jemi në BE dhe të gjithë punojmë për projektin e Bashkimit Europian. BE po vuan nga shumë shpërqendrime. Është kyçe për Shqipërinë është që të zgjidhë marrëdhëniet me fqinjët, sidomos ata të së shkuarës.

Ka shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi, ka shumë grekë që jetojnë në Shqipëri, kështu që shtetet tona kanë raporte të ndërsjellta. Kështu është çdo vend në rajon, andaj duhet të ushqejmë raporte sa më të mira”, deklaroi Rama.