Ministria e Shëndetësisë informoi sot për numrin e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri dhe rastet e reja të 24 orëve të fundit. Sipas MSH janë 28 raste të reja, ndërsa numri total shkon në 361 të prekur. Kujtojmë se një ditë më parë u deklaruan 29 raste të reja me COVID-19.
Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico deklaroi se mes personave të fundit të prekur është edhe një fëmijë. Ndërkohë numri i të shëruarve ka shkuar në 104.
DEKLARATA
Në 24 orët e fundit janë testuar 149 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 28 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 1 fëmijë.
Deri në këto momente janë testuar 2396 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 361 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.
Ju informojmë se gjatë mbrëmjes së djeshme afër mesnatës se një 80-vjeçare nga Shkodra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. E moshuara ishte paraqitur mëngjesin e datës 4 Prill në spital.
80-vjeçarja u izolua si e dyshuar me COVID dhe i janë bërë të gjitha ekzaminimet e duhura. E moshuara ishte vendosur menjëherë në terapi intensive.
Në mbrëmje ka dalë përgjigjia e analizave, pozitive me COVID-19. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore transporti ka qenë i pamundur dhe afër mesnatës e moshuara ka ndërruar jetë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerës.
Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 5 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 104.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 64 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive, prej të cilëve 2 janë të intubuar, ndërsa 1 pacient ndodhet në pavion.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 174 raste
– Durrës 36 raste
– Lushnje 5 raste
– Elbasan 10 raste
– Fier 25 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 38 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 1 rast
– Has 9 raste
– Krujë 5 raste
– Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste
Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër dhe Tiranë tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.
Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.