Çupi: Ëndrra e tmerrshme që pret opozita

Më të fundit


E di?! Sikur po fliste sot; dhe për sot…

Martini, poeti, akademiku dhe albanologu i ndritur shqiptar, më priti në shtëpinë e tij në rrethinat e Mynihut; pastaj shkuam për darkë. Mbrëmje e kristaltë marsi, 1991.


Tregimin mbi ‘historinë shqiptare’ të kryeministrit bavarez, Franc Josef Shtraus, e nxiti, aty nga fundi, një episod mbi varfërinë në Shqipëri. Camaj dhe Shtraus ishin miq.

-Çfarë ndodhi ashtu në atë vend?!- pyeti Martini, duke thënë më shumë me vete se me mua.- Shtraus ishte tronditur nga ata njerëz të Politbyrosë.

– E kishin pritur…, ky u kishte shtruar një plan për hapjen e Shqipërisë dhe afrimin me Perëndimin, në radhë të parë me Gjermaninë, por përfundimisht ata i kishin thënë se ‘akoma i kemi në trup plumbat e gjermanit’. I thanë ‘ik se nuk i duam investimet e armiqve tanë’.

Ka ndodhur në periudhën e diktaturës, kur edhe vetë diktatori priste fundin, viti 1984. Udhëheqja e Partisë Komuniste kishte zgjedhur mes fatit të vendit dhe fatit të tyre. Fati i vendit e kërkonte investimin  e ‘armikut’ Gjermani, e kërkonte me uri e etje; ndërsa Partia ndjehej më mirë pa investimet.

-Sa zbriti në aeroport, me thërret në telefon dhe më thotë “Martin, mos më thuaj më, me ata njerëz nuk merresh vesh.

Ky është tregimi i Martin Camaj mbi fatin e investimit të madh ‘nga armiku’ në Shqipëri.

Me Portin e Ri të Durrësit, sot pas katër dekada, ndodh e njëjta gjë. Opozita ndaj zhvillimit të vendit po bën të njëjtën ‘punë  të ndershme’ për ta ndaluar investimin e madh. Investimi i projektuar në Durrës prej 2 miliardë dollarë është më i madhi deri më sot; pastaj më i madh është vetë përparimi dhe punësimi në gjithë zonën mes Durrësit e Tiranës gjatë jetës së vetë qytetit të ri Port.

Ndodhi ashtu si atëherë, kur projektet në çantën e Shtrausit ishin më të mëdhatë për kohën. Investitori Alabbar ka të njëjtin fat në çantën e tij: Ai po gjykohet jo për atë që do të bëjë në interes të vendit tonë, por për atë që është dhe çfarë ka bërë deri më sot. Si të thuash ‘plumbi në trupin’ e liderit të opozitës, lidhja me botën armike, pasuria e tij ‘pa lejen tonë’, ku ka qenë e ku ka fluturuar në jetën e tij, ku ka pirë kafe e ku ka investuar…

-Nuk lejohet investimi për Portin!-, vendos opozita këtu, tani në vitin 2022, 38 vjet pas kancelarit bavarez, Shtraus.

Po çfarë ndodh që edhe pasi ‘i ka mbirë bari’ regjimit izolacionist të vendit, po të njëjtët njerëz dalin po nga ai bar dhe harlisen nëpër dëshira perverse që të mos e shikojnë vendin në rrugën e zhvillimit? Sot në Komisionin Parlamentar të Kuvendit, përfaqësues të opozitës hodhën në tryezë një ‘zbulim të ri’ mbi jetën e investitorit Alabbar. Ai kishte pas investuar edhe në Serbi, edhe në Moskë, por edhe në Perëndim. “Nuk e pranojmë investimin- thanë në opozitë-  nga një person që ka investuar edhe në vendet armike”. Një gjë nuk u mor vesh mirë, cilat ishin “vendet armike”, të Lindjes apo të Perëndimit?. Opozita fshehu qëllimisht qëllimin e saj për të quajtur ‘armik’ Perëndimin. Pas dy javësh, opozita ngre një protestë për të gjuajtur me gurë presidentët e 27 shteteve të vendeve të BE që zbresin në Tiranë.

Si miqtë, si armiqtë opozita i përdor ‘për vete’.

Në fakt armik është secili që investon në vendin tonë. Nëse Alabbar do të kishte mbyllur ‘qesen’ e parave atje në Arabi, ai do të ishte një ‘arab i mirë’; tani që e bëri, tani është ‘shok i armiqve!’ dhe ‘njeri me ngjyrë’.

Njësoj si në vitin 1984, këta të opozitës duan pushtet për vete; pushtetin e presin vetëm nga e keqja, nga varfëria, nga rrënimi i vendit. Ëndrra e tmerrshme: Sikur njerëzit të mbeten pa bukë e pa ujë…, të bjerë një murtajë që të shtrihen rrugëve…, të sulen për vdekje kundër njëri- tjetrit si në vitin 1997…, atëherë po, “e marrim pushtetin!”, thonë këta.

Shpresë e vdekur, por ‘i vdekuri me të vdekurin’.

Kaq është tani, ata shikojnë vendin pa Port, pa rrugë, pa ndriçim, pa bukuri, pa investim, pa Perëndim… Se mos kanë filozofi këta!, këta duan të keqen e vendit.




Skip to toolbar