Çupi: Ku ndalon Amerika?

BOTA


Nga Frrok Çupi

Dilema ‘Lëviz Amerika, apo po largohet anija jonë?’, duket se po krijon shtrat te shumëkush. “Kush udhëton me anije mbi ujë/ Sheh tokën që shket, jo anijen e tij”, shkruante që në Lashtësi filozofi Ibid.


A po largohet Amerika?

Prej më shumë se një vit, një krah politik i formatuar si ‘kundër Amerikës’, po tenton ta ‘zhbëjë’ praninë e Perëndimit në betejën e nisur kundër krimit dhe korrupsionit të madh në Shqipëri dhe në rajon. E nisi me padinë para avokatit francez, pastaj me dashurinë e largët për presidentin Trump, me shpalljen e ‘konservatorizmit në duar komunistësh’; ambasadoren e Amerikës e quajti ‘guvernatrore’, duke u bashkuar me idetë e Iranit; nisi epokën e sovranizmit, dmth., kundër aleancës me Amerikën… Pritet- sipas pritjes së tyre- momenti kur ‘Amerika do të nisë të sprapset’.

Çfarë nënkuptohet me ‘largimin e Amerikës’?

Nënkuptohet mendimi i fshehtë i dy ish- presidentëve të Republikës se ‘qeveria e Shteteve të Bashkuara do të dorëzohet para tyre’. Sali Berisha, i pari, dhe Ilir Meta- i dyti, kanë kryer akte të shumta kriminale, korruptive dhe politike që rëndojnë mbi sigurinë e vendit e të rajonit, gjithashtu edhe mbi sigurinë e Shteteve të Bashkuara- siç ka theksuar presidenti Biden. Këta kanë ushqyer shumë militantë me iluzionin se ‘ambasadorja amerikane është e korruptuar dhe se ambasadori britanik është i blerë’. Militantëve nuk u duhet e vërteta, atyre u duhet ‘frymëzimi’ se ‘liderët tanë po mundin Perëndimin’. Në çdo orë janë gati të rrëmbejnë armët. Kaq është forca e tyre dhe mblidhen si ‘ushtri anti- amerikane’.

Cili është shtrati ujor ku qëndron anija e grupimit që ‘shikon’ kontinentin duke u larguar?

Pjesa e parë e ‘shtratit’ është koha. Si Berisha edhe Meta besojnë se ‘koha është aleati’ më i mirë në favor të tyre. Me ‘kohën’ kanë parasysh momente sa të vogla aq edhe ‘elementë ndërkombëtarë’. Momente të vogla këta mendojnë ‘largimin e ambasadores Kim’; dimrin e fortë në Shqipëri, rënien e linjave elektrike; çmimin e lartë të energjisë…, deri te marifetet brenda partive të tyre për të rrëzuar pjesën e ligjshme dhe për të ngritur ‘turma ilegale’. Ndërsa si elementë të ‘mëdhenj’ të ‘aleatit kohë’ perceptojnë balancat e luftës në Rusi (dmth çfarë drejtimi do të marrë Bota); perceptojnë se Amerika do të ketë siklete në politikën e saj; mendojnë trazira në Mitrovicë; mendojnë se Drejtësia e re nuk do t’i bindet Amerikës… Atëherë, sipas tyre, anija do të jetë superiore ndaj Tokës Amerikë.

‘Kushedi, por një gjë do të rrëshqasë, që do të na dalë për hajër!’, mendojnë këta.

Pjesa e dytë e ‘shtratit’ ku lëviz anija e tyre është një realitet ‘vizual’ për të gjithë: SPAK dhe GJKKO janë vonuar për më shumë se tre vjet! Janë vonuar në raport me Berishën dhe me Metën- sigurisht. Por a është ky një realitet që u jep shpresë këtyre se nuk do të paguajnë në derën e Drejtësisë?

Ja ku janë tre elementë që nuk u japin kurajë fajtorëve:

E para, ngjarjet e fundit me hapjen e çështjes së Gërdecit, me dosjet e CEZ- DIAZ, Partizanit dhe 21 Janarit, dëshmon se Drejtësia nuk ka pushuar. Këta tani janë acaruar më shumë se kurrë; fshehurazi nga militantët presin fund të keq.

E dyta, vonesat dhe as ‘parashkrimet’ e krimit nuk i shpallin këta si të pafajshëm. Drejtësia botërore e dekadave të fundit ka provuar dy vija gjykimi për fajtorët e mëdhenj:

E para është vija e ndjekur para një dekade në Irak e në Libi, ku dhunuesit e lirisë dhe të stabilitetit (Hussein dhe Gëdaf) nuk u lanë të ‘marrin frymë’ por u gjykuan shpejt e shpejt.

Dhe vija e dytë kur ‘e drejta pret’, njësoj siç po ndodh me gjykimin e Berishës dhe të Metës në Tiranë. Të dy ish- presidentët dhe ish- kryeministra janë neutralizuar; këta nuk mund të bëjnë më asnjë dëm; thjsht bëjnë për të qeshur. Një ditë do të ndodhen pas hekurave për ‘vjedhje dhe vrasje’, por ky nuk do të jetë më as lajm. Ndërsa me Hysein dhe Gëdaf nuk mund të pritej, sepse ishin të rrezikshëm. Ka ndodhur edhe më parë, madje me fqinjët tanë, ku politikanë të lartë si Dodiç, Karaxhiç, Tuxhman, Millosheviç apo Berluskoni në Itali kanë ‘marrë kohë’ për të trokitur në gjykatë. Ka fajtorë në botë që kanë pritur prapa derës për dy a tre dekada…

Por asnjëherë nuk ka ‘lëvizur Toka’, Amerika ndodhet këtu mes nesh dhe ruan rajonin nga minuesit e demokracisë dhe fajtorët e mëdhenj kundër njerëzimit.




Skip to toolbar