Deklarata e ministrit Jenrick për shqiptarët, Tirana zyrtare notë proteste ndaj Britanisë

AKTUALITET


Ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë Alastair King Smith është thirrur pak momente më parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, aty ku i është dorëzuar një notë proteste për deklarimin e dy ditëve më parë të ministrit të emigracionit Robert Jenrick, i cili me një gjuhë gati gati me tone raciste u kërkonte oficerëve të emigracionit të gjenin dhe ndalonin shqiptarët e më pas ti dëbonin drejt Tiranës.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu thotë se nota e protestës përmban doza të forta shqetësimi, të njëjta me reagimin e ministres Olta Xhaçka dy ditë më parë.


“Tej mase e tronditur kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për emigracionin të përdori një gjuhë të tillë vetëm për disa vota. “Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin. Një linçim verbal ndaj një kombi të tërë në një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Britanisë së Madhe ku vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britani dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturë, ekonomi dhe shoqërinë e të dy vendeve. Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”, tha Xhaçka.

Robert Jenrick, ministër shteti në Home Office, e vendoste theksin te gjuetia e gjetjes së emigrantëve shqiptarë, ndalimi e më pas deportimi i tyre nga UK Border Agecency, Agjencia Britanike e Kufirit.

Ky deklarim i ministrit Jenrick, është bërë në momentin kur 43 shqiptarë, mes tyre emigrantë ilegalë dhe disa të tjerë që kishin mbaruar dënimet në burgjet angleze, po dëboheshin drejt Tiranës.




Skip to toolbar