PS shton provat e reja për Metën: Shkeli Kushtetutën me Xhaferllarin

AKTUALITET


Dekreti për emërimin e Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, është antikushtetues, sipas kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili tha se PS po shton provat për shkarkimin e Metës të cilat ia ka vënë në dispozicion Komisionit Hetimor Parlamentar.

Sipas Ballës, Meta veproi në shkelje të Kushtetutës në rastin e emërimit të Xhaferllarit, njëlloj siç bëri edhe me zgjedhjet e qershorit.


 “Do të nisim veprimet për shkarkimin e presidenti Meta pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij ka shkelur Kushtetutën. Me vendimin është marrë kërkesa për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e presidenti për zgjedhjen e organeve për qeverisjen vendore. Presidenti i Republikës, me një kurs të përplasjes me Kuvendin ka vijuar të shkelë Kushtetutën. Vlerësojmë të domosdoshëm që këto vlerësime të bëhen nga Kuvendi i Republikës për shkarkimin e presidentit. Kushtetuta jonë, rregullorja, nuk ndalojnë komisionin Hetimor në punën e tij dhe Kuvendi nuk mund të vendosë kufizime për këtë çështje. Nëse kjo kërkesë nuk vlerësohet si në shkelje të Kushtetues, atëherë shkresa është detyrim dhe jo diskrecion i Kuvendit. Një palë që ka dorëzuar një kërkesë mund të ndryshojë dhe të shtojë atë. Dekreti i presidentit për Xhaferllarin është nxjerrë në shkelje të Kushtetutës. Njësoj siç veproi me dekretin për zgjedhjet, veproi njësoj si me Xhaferllarin”,-  tha Balla.

I pyetur nga gazetarët nëse Presidenti mund të shpërndajë parlamentin me një dekret, Balla tha se Meta sheh ëndrra me sy hapur.  Socialisti tha se Presidenti nuk e ka këtë kompetencë në Kushtetutë, ndërsa Parlamenti ka të drejtë ta shkarkojë kreun e shtetit, pasi hetimit parlamentar.

“Unë di që në Republikën e Shqipërisë zgjidhet nga Parlamenti dhe Parlamenti nuk zgjidhet nga Presidenti.

Parlamenti e ka të drejtë ta shkarkoje Presidentin, pasi një pune rigoroze të Komisionit hetimor.

Presidenti i Republikës sheh ëndrra me sy hapur, kur flet gjoja me dekrete për të shpërndarë parlamentin. Mos harrojmë të vetmen lidhje që ka Presidenti që është me Kuvendin, është vetëm ajo e thërritje së seancës së parë të parlamentit.

Presidenti nuk e ka këtë kompetencë, kurse Parlamenti e ka si kompetencë për ta shkarkuar Parlamentin”, u shpreh Balla.




Skip to toolbar