Emocione të forta në sallën e Gjykatës së Apelit në Romë, e cila konfirmoi dënimin për bosin e mafias napoletane, Francesco Bidognetti, i njohur ndryshe edhe si “Cicciotto ‘e mezzanotte”, sepse në vitet 1980 sipas dissave ai ishte i aftë të sillte errësirë edhe në mes të ditës.
Ai që shpërtheu në lot ishte shkrimtari dhe gazetari investigativ Roberto Saviano, i cili ishte kërcënuar me vdekje nga Bidognetti dhe rreth 20 vite të jetës së tij i ka kaluar nën mbrojte 24-orëshe.
Sipas medias italiane “Corriere Della Sera” duke u përqafuar fort me avokatin e tij, Saviano përsëriste: “Më kanë vjedhur jetën, më kanë bërë copë-copë”.
Ai pranoi se nuk kishte qarë kështu, që nga funerali i mikeshës së tij, shkrimtares Michela Murgia, më 13 gusht dy vjet më parë. “Është e vërtetë, është e vërtetë“, përsëriste ai.
Rreth tij, mbështetës të ardhur nga qytete të ndryshme të Italisë duartrokisnin me lehtësim e solidaritet.
Kjo është një betejë që zgjat prej gati dy dekadash. Që nga botimi i librit Gomorra në vitin 2006, një sukses botëror me mbi 10 milionë kopje të shitura, Saviano jeton nën mbrojtje të përhershme, për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta nga mafia
