Deputeti shqiptar në Serbi: Nuk mund të ketë ‘Open Balkan’ pa Kosovën, Vuçiç po luan me 2 standarde

AKTUALITET


Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, që përfaqëson Luginën e Preshevës, ka folur sot nga Shkodra për atë  nismën  “Ballkani i Hapur”. 

“Ka dy standarde për qasjen e Serbisë dhe Vuçiç në këtë proces. Vuçiç luan rolin e paqebërësit në rajon duke tentuar të lidhë marrëveshje bilaterale, trilateriale apo multilaterale për të  qenë lider i Ballkanit në ndërtimin e paqes. Në anën tjetër përmes eksponentëve të tij në Beograd, veçanërisht ministrit t policisë që është një antishqiptar i dëshmuar, një fashist, ai nis projektin e “botës serbe”.


Duke pasur parasysh faktin se nga kush vjen kjo ide, ajo flet për një botë ku nuk do të kenë vend të tjerët. Këto dy projekte “bota serbe” dhe “Ballkani i Hapur” janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Të mbyllësh kufij për pakicat, për të drejtën e komuniteteve në Serbi për bashkëpunime me shtetet amë dhe të kërkosh hapjen e kufijve për serbët në rajon, sipas meje, janë aspirata territoriale dhe në këtë rast ndaj Kroacisë, ndaj Bosnjë Hercegovinës, sepse po shihet roli i Dodik në Bosnje për shpartallimin e Bosnjes, situata në Mal të Zi, në veri të Kosovës, në të gjitha këto vende Serbia po luan rolin e destabilizuesit të Ballkanit Perëndimor dhe rrezikshëm po cënon paqen.

Kemi kërkuar që në axhendën e Shqipërisë dhe Kosovës të jetë Lugina e Preshevës në kuadër të një programi shtetëror, jo partiak. Program shtetëror që do t’i qaset problematikave për të ndalur së pari shpopullimin e shqiptarëve. Do të ishte paradoksale të kemi një miqësi mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe kjo miqësi të mos reflektohet pozitivisht në të drejtat e shqiptarëve”, tha Kamberi.

Ai u shpreh se të gjithë janë të vetëdijshëm  se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në bashkëpunim. Por kjo nuk mund të bëhet nëse përjashtohet pjesa më e madhe e popujve të Ballkanit.

“Nuk mund të shkojmë në një proces bashkëpunimi në rajon nëse përjashtohet pjesa më e madhe e popujve të Ballkanit dhe nëse Serbia mohon në vazhdimësi gjysmën e popullit shqiptar. Ajo dëshiron miqësi me Shqipërinë duke mohuar Kosovën, duke mohuar ekzistencën e shqiptarëve në territorin e vet dhe këto janë parimet e standardeve të dyfishta që Serbia po luan.

Loja e Serbisë me Kinën, me Rusinë dhe tentativa e saj që gjoja është integrimi europian janë koncepte që nuk shkojnë bashkë. Jemi të zhgënyer me administratën në Bruksel, e cila ka arritur deri në fazën që të bindë palët  të nënshkruajnë disa marrëveshje, por nuk kanë mekanizma që të nënshkruajnë marrëveshje me Serbinë që t’i zbatojë. Mbetet të shihet angazhimi i ri amerikan”, tha ai.




Skip to toolbar