Dështon mbledhja e KQZ-së. Digjen afatet për 13 tetorin

AKTUALITET


Ka dështuar Komisioni Qëndror Zgjedhor për të zhvilluar një mbledhje ditën e shtunë ku do të shqyrtohej kërkesa e aleatëve të PD-së, për nisjen e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve në datën 13 tetor, datë e dekretuar nga presidenti Meta.

Shkak është bërë mungesa e anëtarëve të PS-së në Komisionin Qëndror Zgjedhor të cilët janë me leje vjetore. I pranishëm në mbledhje ishte vetëm kryetari Klement Zguri, i cili e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, pa të cilin nuk merret dot asnjë vendim.


Kujtojmë se dështimi i kësaj mbledhje djeg dhe afatet ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të 13 tetorit, pasi bazuar në Kodin Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara datës së tyre, afat i cili mbaron më 4 gusht (nesër).

Përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka akuzoi se mungesa është e qëllimtë dhe politike. Ai tha se LSI-ja ditën e hënë do të sjellë kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.

“Dekreti i Presidentit është në fuqi dhe ne do të respektojmë parashikimet. Do të sjellim të hënën kërkesën për regjistrimin në zgjedhje. Kodi parashikon që KQZ-ja ka detyrimin të nisë procedurat dhe së pari duhet të merrte parasysh kërkesën. Në Kolegj? Do të ndjekim të gjitha hapat. Prevalon Kushtetuta mbi lejen e tyre vjetore“,- tha përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka.

Të premten tre aleatët e Partisë Demokratike, LSI, PAA dhe PR, i dërguan zyrtarisht një kërkesë KQZ përmes të cilës kërkojnë që të shqyrtohet dekreti i presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Kërkesa është firmosur nga Fatmir Mediu, Agron Duka dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, duke treguar kështu qëndrimin kundër që këto forca politike kanë me kreun e PD, Lulzim Basha i cili ka deklaruar se nuk hyn në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe është tërhequr nga data 13 tetor.

Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ka deklaruar më herët se me datë 13 tetor nuk ka zgjedhje dhe se për këtë institucion është zyrtarisht ditë pushimi. Skënderi ka deklaruar se nëse 13 tetori do të ishte një datë normale zgjedhjesh, puna duhet të kishte gjashtë muaj më parë, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi 30 qershori është “kapitull” i mbyllur për KQZ-në, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara, afat i cili mbaron më 4 gusht.

Kolegji Zgjedhor është shprehur për dekretin e parë të presidentit, atë për anulimin e 30 qershorit duke e cilësuar atë nul për shkak se vendimi është marrë përtej afateve kushtetuese dhe përtej kompetencave që kushtetuta i njeh presidentit, argumente këto që vlejnë njëlloj edhe për dekretin e datës 13 tetor.




Skip to toolbar