DETAJE / Vrasësi i kushëririt në Shkodër u fsheh në një shtëpi pasi kërcënoi pronaren

AKTUALITET


Policia e Shtetit ka dhënë më shumë detaje për arrestimin e 34-vjeçarit Lekë Vuksanit, autori i dyshuar i vrasjes së Petrit Vuksanit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në qytetin e Shkodrës.

Bashkë me videon e shoqërimit të 34-vjeçarit, policia sqaron se ai arriti që t’i shpëtonte arrestimit për 21 orë duke u strehuar në një shtëpi në rrugën “Pjetër Budi”. Vuksani kishte mundur të futej dhe të qëndronte në këtë banesë duke kërcënuar me armë pronaren e saj


“Strukturat operacionale të DVP Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, pasi 21 orësh, si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së pandërprerë policore, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit Lekë Vuksani, 34 vjeç, banues në Shkodër. 34-vjeçari u lokalizua në banesën e një shtetaseje, në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, banesë në të cilën kishte mundur të strehohej pasi gjatë natës kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese për t’i hapur derën dhe për të mos kallëzuar. Gjithashtu, në të njëjtën banesë, u gjet edhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu vrasjen”, thuhet në një njoftim të dytë të policisë.

Mesditën e së martës, Lekë Vuksani qëlloi për vdekje në shtëpinë e tij 51-vjeçarin Petrit Vuksani. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës. Shkak dyshohet se u bë pikërisht fakti se viktima i kërkoi Lekë Vuksanit që të lironte shtëpinë që i kishte lënë me qira gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.




Skip to toolbar