Akordi me Serbinë, shkëndija mes SHBA e Kurtit

#NËRADAR


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi priti të mërkurën Richard Grenell, të dërguarin e posaçëm të Donald Trump për ndërmjetësimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Në një deklaratë për shtyp, publikuar nga presidenca e Kosovës, zbardhen detaje të takimit mes dy zyrtarëve të lartë. Sipas njoftimit, duke falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që SHBA i jep Kosovës, Thaçi citohet të jetë shprehur se: “që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën. Kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”, thuhet në deklaratë.

 Në takimin mes dy zyrtarëve është diskutuar se “Marrëveshja e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, do t`i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit”. Ndërsa, ambasadori Richard Grenell citohet të jetë shprehur se “shpreson që Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje”, duke theksuar “se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vendoste themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve”, citohet nga deklarata. Në fund të deklaratës, citohet përsëri Presidenti Hashim Thaçi, i cili beson se “pjesëmarrja aktive e SHBA në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.


Pas takimit me Presidentin e Kosovës, Richard Grenell është takuar me Albin Kurtin, liderin e Vetëvendosjes, që u shpall fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovës. Por, nëse Hashim Thaçi e priti në zyrë Richard Grenell, i dërguari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, zgjodhi që me Albin Kurtin takimi të mbahej në ambientet e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori Philip Kosnett. Në njoftimin e Vetëvendosjes, thuhet se “Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e Vetëvendosjes për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dieles së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd. Z. Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare”, citohet nga deklarata.

Nga ana tjetër, Albin Kurti, sipas deklartës së Vetëvendosjes, është dakordësuar me ambasadorin e SHBA se “Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime nga jashtë”, por sipas liderit të Vetëvendosjes, ndryshe nga mendimi i Grenell, problemi “për këtë gjë është korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri, e cila tremb bizneset”, citohet ndër të tjera në deklaratë. Lidhur me dialogun me Serbinë, nga deklarata e bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, citohet vetëm një fjali, ku albin Kurti citohet të ketë thënë se “sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të”, përfundon deklarata.




Skip to toolbar