Distancimi i Kryemadhit, LSI i trembet një 17 maji të dytë

#NËRADAR


Realstory bëri një fact checking të mërkurën ku doli qartë se kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi prej më shumë se 1 muaji është distancuar qartë nga skena politike por edhe nga qëndrimet e kreut të PD-së, Basha.

Jo vetëm fakti që Kryemadhi është distancuar nga PD, por edhe një deklaratë e mbajtur dje nga ish deputeti i LSI-së Edmond Panariti, na lë të kuptojmë se LSI e mbetur tashmë pa asnjë pushtet dhe me frikën e largimit të militantëve drejt PS-së, i trembet një 17 maji të dytë.


Që ndryshe do të thotë, i trembet një marrëveshje mes Ramës e Bashës duke lënë mënjëanë LSI-në; madje-madje, i trembet mundësisë së ata të dy bashkëpunojnë për shkrirjen e LSI-së, ashtu sikurse Rama i shkruante në mesazh Metës pak kohë më parë. Mesazh, të cilin presidenti e lexoi para gazetarëve në konferencën e famshme për shtyp ku i shpalli të gjithë armiq përfshirë këtu edhe SHBA-të.

Por çfarë ka thënë të mëkurën Panariti në një intervistë televizive. LSI kërkon që në takimet e dialogut të mos jenë prezent vetëm PD dhe PS, por edhe partitë e tjera të vogla, përfshirë edhe vetë atë. Kjo pasi Lëvizja Socialiste për Integrim e ka pësuar një herë nga marrëveshjet qeveri-opozitë. Nga marrëveshja e 17 majit të 2017, LSI ishte partia më e dëmtuar. Tani ajo kërkon që kjo gjë të mos përsëritet, por të jetë edhe vetë pjesë e marrëveshjes. “Data 13 tetor një opsion që ofron Presidenti për t’i futur palët në zgjedhje. Unë besoj që dialogu duhet të jetë transparent jo me dyer të mbyllura. Duhet rivendosur besimi. Vendi ka nevojë urgjente, ulëritëse për zgjedhje sa më parë. Lini pushimet e uluni në tryezën e dialogut, nuk ka zgjidhje tjetër”, tha Panariti.

LSI kërkon me çdo kusht zgjedhje për t’u rikthyer në pushtet. Ajo ka humbur shumë nga djegia e mandateve por edhe nga humbja e bashkive. Tani i trembet largimit të militantëve që kanë nisur t’i bashkohen PS-së. Nëse situata vazhdon gjatë kështu, LSI rrezikon të shkrihet, ndaj dhe ata mbështesin fuqishëm ish shefin e tyre dhe zgjedhjet më 13 tetor, dhe sigurisht dialog me Ramën kryeministër./Realstory.al




Skip to toolbar